Metoda më e fundit është ajo e bërjes së një pasaporte biometrike. Qytetarët e shtetit fqinj, Serbisë, ka pothuaj një vit që udhëtojnë pa viza. Kjo ka nxitur edhe shume shqiptarë të Kosovës që të japin para për të siguruar një të tillë. Dhe tani për tani duket se ky nuk është një mision i vështirë.
Një vizitë nëpër enklavat serbe ose në pjesën veriore të Kosovës të nxjerrë në rrugën e duhur për ta siguruar pasaportën. Mjafton të kesh paratë dhe njerëzit të drejtojnë shumë shpejt në vendin e duhur, si për shembull në Graçanicë. Miroslavi, një burrë rreth të 50-ve, është një banor i këtij fshati, i cili merret me këtë punë. Se sa do të kushtojë pasaporta biometrike, Miroslavi thotë i prerë: “Shkurt e shqip kjo punë kryhet për nja 500 euro. Ai sqaron se në pasaportën biometrike serbe shkruan se je banor i Kosovës, por me nënshtetësi serbe. Ai jep numrin e tij të telefonit dhe vazhdon biznesin e tij me palë të tjera. Mirëpo aq i begatë duket se është ky biznes i paligjshëm sa ka edhe konkurrencë çmimesh në treg. Vetëm 100 metra më të tutje, në një ndërtesë të strukturave paralele serbe bëhet rregullimi i dokumenteve. Personi që na orienton nuk është askush tjetër veçse një punonjës i komunës së Graçanicës. Nuk janë vetëm qytetarët që konfirmojnë ekzistimin e këtyre rrjeteve të organizuara që bëjnë të mundur lëvizjen ilegale të njerëzve nga Kosova.
Edhe Policia e Kosovës është e vetëdijshme se këto grupe të krimit të organizuar janë duke vepruar në vendin tonë. “Kontrabanda me migrantë është krim i organizuar, i cili ka të bëjë me pritjen, strehimin, transportimin, përcjelljen, sigurimin e dokumenteve si dhe shumë aktiviteteve të tjera të kësaj natyre d.m.th se duhet disa persona për të kryer këtë krim, se kontrabanda ka të bëjë me disa shtete. Nga rastet që i kemi hetuar dhe i kemi zbuluar shihet se kontrabandistët janë shumë mirë të organizuar, kanë lidhje të mira në shtetin ku veprojnë ( mund të kuptoni se cilët persona mund të ushtrojnë ketë veprimtari p.sh në Serbi), këto grupe janë të pamëshirshme, perfide edhe në momente të caktuara edhe të paskrupullta” thotë kapiteni Nevruz Hasani nga policia kufitare.