Raporti i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Kriminalitet thotë se qytetarët në Kosovë, në mesataren e përgjithshme, i ndajnë rreth 200 euro në vit ose 11 për qind të të ardhurave të tyre vjetore për t’i dhënë si mito.
Ramadan Ilazi, drejtues ekzekutiv i Lëvizjes Fol, thotë se ky raport duhet të lexohet si kritikë ndaj institucioneve vendore në Kosovë, por edhe ndaj misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
“Ky është edhe një raport tjetër që konfirmon se korrupsioni në Kosovë nuk ...është një raport, i cili më së shumti duhet të lexohet si kritikë për misionin evropian për sundim të ligjit, i cili drejton Prokurorinë Speciale në Kosovë.është thjesht një perceptim, siç po pretendojnë përfaqësuesit e qeverisë dhe të misionit EULEX, por është një realitet i hidhur. Është një raport tjetër ky, i cili i largon investitorët nga Kosova. Është një raport tjetër, i cili krijon një imazh të keq ose përforcon imazhin e keq të vendit në arenën ndërkombëtare”.
“Por, është një raport, i cili më së shumti duhet të lexohet si kritikë për misionin evropian për sundim të ligjit, i cili mision e drejton Prokurorinë Speciale në Kosovë, që me ligj është përgjegjëse për persekutimin apo për ndjekjen e kriminelëve dhe të të korruptuarve”, thotë Ilazi.
Ngjashëm mendon edhe Avni Zogiani, drejtues i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”. Ai thotë se raporti në fjalë shpërfaq neglizhencën e të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës për ta luftuar këtë fenomen të dëmshëm për shoqërinë.
“Mendoj se nga qeverisja në qeverisje, në vend se të kemi një reduktim të korrupsionit si fenomen, kemi parë një thellim të tij”.
“Mendoj se, para së gjithash, kjo ndodh për shkak se infrastruktura ligjore kundër korrupsionit, në Kosovë është ndërtuar e tillë që praktikisht nuk paraqet rrezik për ata që veprojnë në mënyrë korruptive, duke qenë se sanksionet për vepra të tilla janë tepër të dobëta”, thotë Zogiani për Radion Evropa e Lirë.
Raporti i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Kriminalitet lidhur me korrupsionin, vë në pah se dhënia e mitos për të gjetur punë në administratën publike, në Kosovë është më e shprehur se në gjithë rajonin.
Sipas këtij raporti, në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor, përvojat e qytetarëve në dhënien e mitos tregojnë se korrupsionit më së shumti i nënshtrohen policët, mjekët, doganierët, infermieret, zyrtarët e administratës publike, zyrtarët e kadastrës, si dhe gjyqtarët e prokurorët.
Por, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë thonë se hulumtimet e tyre tregojnë se policët e doganierët kosovarë janë ndër më të pakorruptuarit. Ramadan Ilazi, nga Lëvizja Fol, shpjegon më shumë:
“Në kuptimin e korrupsionit, sektori i prokurimit, financat e partive politike, si dhe dhënia e lejes së ndërtimit, janë tre sektorët më të korruptuar në Kosovë, në aspektin e shumës së parave. Por, në anën praktike, në përditshmërinë e qytetarit të Kosovës, shërbimi mjekësor është sektori ku qytetarët ballafaqohen shpeshherë me korrupsion”.
Sipas raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Kriminalitet, në 40 për qind të rasteve, qytetarët janë ata që ofrojnë mito. Zogiani thotë se në Kosovë, një gjë e tillë u imponohet qytetarëve në raste të caktuara.
Luftë retorike kundër korrupsionit
“Për shembull, nëse i marrim gjykatat, është shumë normale që një qytetar të mendojë të ofrojë mito, nëse rasti i tij është zvarritur nga gjykatësit dhe prokurorët me vite të tëra”, thotë Zogiani.
Ndërkaq, qytetarët e Prishtinës e vlerësojnë në mënyra të ndryshme fenomenin e korrupsionit në vend. Berat Gashi thotë:
“Për ta kryer një favor, ndoshta kërkojnë një favor tjetër”.
Ngjashëm thotë edhe Niman Rracaj:
“Realisht, ka diçka të vërtetë, duke u bazuar në atë se ekziston një numër i madh i raporteve që flasin për këtë dukuri negative në shoqërinë tonë”.
Por, ndryshe mendon Adem Zaplluzha:
“Nuk di a ekziston apo jo korrupsioni. Unë nuk besoj se ekziston. Por, edhe nëse ekziston, ne jemi aq të varfër saqë nuk mund ta korruptojmë dikë”.
Sidoqoftë, raporti i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Kriminalitet thotë se Kosova është vendi i dytë në rajon, pas Bosnjë e Hercegovinës, ku blihen votat e qytetarëve në proceset zgjedhore