jilan, 15 nëntor – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, të hënë në Gjilan, aty ku ishte duatrokitur projekti i tij dhe ishte kërkuar që ai të zgjidhej lider i partisë, dhe ku një javë më vonë ishte duartrokitur distancimi nga projekti i tij, i bërë nga Fatmir Rexhepi, të shtunën është raqitur po në këtë sallë. Muatafa ka lutur Rexhepin që të vazhdojë aktivitetin në LDK. Lideri i LDK-së ka thënë se kjo forcë politike është e përgatitur që të hyjë në garën zgjedhore të 12 dhjetorit, për të dalë partia më e madhe në vend.
Ndonëse zyrtarisht ende nuk ka nisur fushata zgjedhore, Mustafa të hënën në Gjilan, në emër të takimit me anëtarë, veprimtarë dhe simpatizantë të kësaj partie, ka kërkuar mbështetje për LDK-në që në zgjedhjet e 12 dhjetorit të dalë fitues dhe ta qeverisë vendin.
Kryetari i ri i LDK-së, i cili doli nga kuvendi i fundit i kësaj partie, kërkoi nga gjilanasit që t'i votojnë kandidatët e LDK-së, madje ai tha që pret forcim të LDK-së në Gjilan dhe në Kosovë, nga e cila pritet një qeverisje e mirë dhe shembull për të tjerët.
Duke iu përgjigjur Fatmir Rexhepit, i cili ditë më parë po nga kjo sallë kishte akuzuar Mustafën se e ka tradhtuar projektin e tij dhe se nuk ka asgjë prej reformimit të partisë, dhe se LDK sërish po shkon drejt koalicionit me PDK, ai tha se LDK ka pasur një kuvend demokratik që duhet t’ia kenë lakmi edhe vendet përreth dhe se në Këshillin e Përgjithshëm janë inkuadruar mbi 50 për qind emra të rinj.
Sipas tij, edhe në Kryesi dhe në listën e kandidatëve për deputet ka emra të rinj, ndërsa ka shtuar se partia që udhëheq ai nuk do të bëjë koalicion me PDK-në.
Mustafa tha se "nuk do të ndodhë një koalicion me PDK-në, pasi një koalicion i tillë është i dëmshëm për demokracinë dhe Kosovën".
Sa i përket koalicioneve të mundshme, Mustafa tha se tash për tash LDK-ja nuk ka orientime për koalicione, duke shtuar se tani duhet forcimi i LDK-së, stabilizim i elektoratit të saj, që ajo me vlera të konkurrojë në zgjedhje.
"Presim rritje dhe forcim të LDK-së edhe në Gjilan dhe rritje të kësaj partie", tha Mustafa, duke u bërë thirrje të larguarve nga kjo parti që t’i kthehen partisë për të cilin ka nevojë Kosova, dhe ku respektohet mendimi dhe diversiteti.
Lidhur me dorëheqjen e Fatmir Rexhepit nga të gjitha funksionet partiake, edhe nga lista e kandidatit për deputet , Mustafa tha se beson që ai do të vazhdojë të zhvillojë aktivitetin për LDK-në, duke shtuar se me të ka raporte të mira, por mund të kenë ndodhur keqkuptime dhe nuk janë sqaruar sa duhet reformat në LDK.
Ai tha se vlerëson Rexhepin dhe kontributin e tij të dhënë për LDK-në, por tha se interpretimi i zhvillimeve të fundit në LDK nga Rexhepi nuk korrespondon me zhvillimet e fundit reale në këtë parti.