Prishtinë, 15 nëntor - Njeriu i parë i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Michel Platini, ka përsëritur edhe njëherë se Kosova nuk mund të bëhet pjesë e asociacioneve ndërkombëtare të futbollit, pa u pranuar më parë në Kombet e Bashkuara. Platini ka theksuar se Federata që drejton ai do të respektojë statutin e saj ku shkruan se anëtare mund të bëhen vetëm shtetet që janë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Platini këto deklarata i ka dhënë të shtunën në Podgoricë, ku qëndroi në vizitë njëditore.
"Rregullat dihen. Që një shtet të mund të marrë pjesë në kampionate evropiane dhe botërore, duhet të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Kosova nuk është", ka thënë Platini, përcjellin të dielën mediumet serbe.
Vizita e Platinit në Mal të Zi ishte në kuadër të fushatës para zgjedhjeve të reja të UEFA-s që mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Platini pret të fitojë edhe një mandat të ri.
Në të vërtetë, artikulli i pestë i statutit të UEFA-s, ku është i shkruar kushti për të qenë pjesë e OKB-së, është duke e bllokuar procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. FIFA nuk e ka këtë kusht, mjafton që shteti që aplikon të jetë i pranuar nga komuniteti ndërkombëtar. Por, kusht për pranim në FIFA është që vendi aplikues më parë të jetë i pranuar në konfederatën përkatëse, në rastin e Kosovës në UEFA.
Shteti i Kosovës deri më tani është pranuar nga 71 prej 192 vendeve anëtare të OKB-së. Për t'u pranuar në OKB, Kosova duhet të pranohet nga dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së.
Zyrtarët e FFK-së thonë se janë duke punuar për t'u pranuar në asociacionet ndërkombëtare, por ata nuk e dinë se kur do të ndodhë kjo.
"Nuk është e vërtetë që Platini është kundër pranimit të FFK-së në UEFA. Pranimin tonë e pengon statuti i UEFA-s. Ne jemi duke punuar për ndërkombëtarizim, por ky proces nuk varet nga ne, prandaj nuk mund të themi se kur do të pranohemi. Me rëndësi është që ne po japim maksimumin që kjo të ndodhë sa më shpejt", ka thënë ditë më parë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.