Prishtinë, 17 nëntor – Qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi, gjatë mandatit gati trevjeçar ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për disa miliona euro. Gjykatat vendore kanë ndëshkuar ministri të kësaj Qeverie për shkak të vendimeve të jashtëligjshme që janë marrë nga zyrtarët e saj, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas raporteve vjetore të shpenzimeve buxhetore del se për këto vite janë paguar afro 4 milionë nga kompensimet që janë kryer pas vendimeve nëpër gjykata. Viti 2009 ka qenë më i vështiri për qeverinë e vendit, e cila ka paguar shifrën më të lartë të kompensimeve nga vendimet e gjykatave. Shumën prej 1 milion e 684 mijë e 365 eurosh e ka paguar Ministria e Administratës Publike. Për nga dënimet e gjykatave këtë ministri e ndjek ajo e Shëndetësisë, e cila është ndëshkuar me 1 milionë e 573 mijë euro. Ministria e Kulturës është ndëshkuar me 16 mijë e 500 euro ajo e Arsimit me rreth 6 mijë, ndërsa ajo e Drejtësisë me afro 4 mijë e 500 euro.
Doganat e Kosovës kanë paguar një ndëshkim prej 3 mijë eurosh në vitin 2009. Ndërsa, në vitin e parë të kësaj qeverisjeje më 2008, ndëshkimet nga gjykatat kanë qenë më të vogla. Ministria e Drejtësisë ka qenë ajo që ka paguar afro 100 mijë euro nga shërbimet e përfaqësimet nëpër gjykatat. Ndërsa, një shumë më të vogël se ajo ka paguar Ministria e Arsimit, e cila është gjobitur me 67 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë këtë vit kishte paguar 36 mijë euro dëmshpërblim, ndërsa ajo e Bujqësisë kishte paguar afro 30 mijë euro. Ndërsa shuma më të vogla se një mijë euro kishin paguar Ministria e Ambientit me 174 euro, ajo e Punës e Mirëqenies Sociale me 145 euro, ndërsa Dogana e Kosovës ishte ndëshkuar me 747 euro.
Në nëntë muajt e këtij viti nga gjykatat vendore janë ndëshkuar 11 ministri të Qeverisë së Kosovës. Një ndëshkim prej 3 mijë eurosh ka marrë ministria për Ekonomi e Financa, ndërsa pak më shumë ka paguar ajo e Administratës Publike, e cila ka kryer një kompensim prej afro 5 mijë eurosh. Më së shumti është dënuar ministria e Kulturës me 32 mijë e 600 euro, e cila ndiqet nga ajo e Shëndetësisë me 26 mijë e 400 euro. Me afro 8 mijë euro është gjobitur ajo e Tregtisë, ndërsa rreth 2 mijë e 500 euro ka kryer kompensim ajo e Punëve të Brendshme. Ministria për Kthim ka kryer një kompensim përmes vendimit gjyqësor që kap vlerën e mbi 2 mijë eurove, ndërsa nën një mijë euro janë gjobitur Ministria e Bujqësisë, e Transportit, Ministria e Punës si dhe ajo e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës ka qenë i pakontaktueshëm për gazetën për të dhënë përgjigje se pse nuk është shkarkuar ndonjë zyrtar publik rreth dëmit milionësh që i është shkaktuar buxhetit nga vendimet e jashtëligjshme. Ndërsa Avni Zogiani nga organizata kundërkorrupsion “Çohu”, ka thënë se humbjet milionëshe që i paguan qeveria përmes vendimeve gjyqësore tregon për mungesën e seriozitetit në ruajtjen e parave publike.
“Kjo tregon se ka pasur shkelje për shkak të papërgjegjësisë së zyrtarëve qeveritarë dhe ministrave të kësaj qeverie, e cila nuk ka treguar seriozitet në ruajtjen e taksave të qytetarëve”, ka thënë Zogiani.
Sipas tij këtë e dëshmon fakti që për këto dëme milionëshe nuk ka pasur shkarkime nga puna të zyrtarëve publikë edhe pse për tre vjet rresht janë paguar miliona euro si pasojë e shkeljeve ligjore.
“Kjo qeveri me vendimet e saj ka rrezikuar që të humben miliona euro jo vetëm vendore, por edhe në ato ndërkombëtare. Një kontratë e cila është ndërprerë çuditërisht në formë arbitrare vetëm disa ditë pas nënshkrimit pritet të rrezikojë humbjen e miliona eurove në Gjykatën e Londrës”, ka thënë ai.
Zogiani ka theksuar se shkëputja e njëanshme e kontratës me degën në Qipro të kompanisë izraelite “Amdocs”, ka rrezikuar vendin që të paguajë miliona euro dëmshpërblim përmes vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
“Qeverisë i kërcënohen miliona euro humbje dhe kjo asnjëherë nuk është diskutuar në qeveri. Kjo u jep krahë shkelësve të ligjit se nuk do të ndëshkohen nëse e bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Zogiani.
Në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër është paralajmëruar nga kompania “Amdocs” se do të kërkohet kompensim që kap shifrën e miliona eurove, e cila do të paguhet nga korporata e Postë-Telekomit e Kosovës. Kontrata që peshonte rreth 20 milionë euro e lidhur mes këtyre dy palëve ishte shkëputur tri ditë pas nënshkrimit me vendim të Ahmet Shalës, ministër i Ekonomisë dhe i Financave.