“Reporterët pa Kufij”, organizatë kjo për mbrojtjen e gazetarëve i ka dënuar kërcënimet dhe trajtimin ndaj gazetares së agjencisë KosovaPress, Sebahate Shala, e cila ditë më parë kishte ngritur një çështje të ndjeshme lidhur për Partinë Demokratike të Kosovës në konferencën për shtyp me zëvendës shefin e EULEX-it, Andy Sparks.
Gazetarja Shala thuhet se ka pyetur nëse është normale që dy anëtarë të PDK-së, të cilët po hetohen nga EULEX-i nën dyshimet për korrupsion dhe vrasje, duhet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.
“Reagimi i udhëheqësisë së KosovaPress-it është i paimagjinueshëm dhe i pavlefshëm për një profesion, në të cilin solidariteti duhet të jetë rregull. Pyetjet e Shalës ishin të arsyeshme dhe me interes publik. Trajtimi i saj nga agjencia ishte krejtësisht i padëshirueshëm dhe qartësisht i motivuar nga konsiderata jo gazetareske. Ne i bëjmë thirrje drejtuesve të KosovaPress-it që menjëherë ta kthejnë atë në agjenci dhe t’i mbështesin gazetarët kur ata kërcënohen në këtë mënyrë”, thekson organizata.
“Reporterët pa Kufij” thonë se rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi lirinë e gazetarëve në mediet private dhe shtetërore gjatë mbulimit të fushatës për zgjedhjet në dhjetor.
“Udhëheqësia e PDK-së dhe qeveria në largim e kryeministrit Hashim Thaçi duhet publikisht ta shprehin mbështetjen e tyre për Shalën dhe t’i dënojnë kërcënimet. Duhet të hapen hetime me qëllim të identifikimit të personave përgjegjës për mesazhet SMS dhe të sigurohet që ata të ndëshkohen rëndë”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Piter Feith nuk mund të lejojë që gazetarët të kërcënohen dhe të sanksionohen për shkak se i mbulojnë aktivitetet e EULEX-it në mënyrë profesionale dhe për shkak se bëjnë raportime investigative.
Nga ana tjetër, në një sqarim agjencisë së pavarur të lajmeve KosovaPress, thuhet se kjo agjenci falënderon organizatën Reporteret pa Kufij, për mbështetjen e vazhdueshme që është duke e bërë për gazetarët e Republikës së Kosovës dhe në mbarë botën, duke shtuar se kjo organizatë me mbështetjen e saj po kontribuon në mbrojtjen dhe pavarësinë e medias në Kosovë.
“Ne sqarojmë organizatën shumë të respektuar Reporterët pa Kufij se KosovaPress nuk e ka larguar nga puna znj. Shala dhe nuk ka ushtruar asnjëherë ndonjë presion ndaj saj, dhe në këtë rast as që ka kërkuar të bisedojë me Shalën në lidhje me lajmin rreth deklaratës së z. Sparks, sepse ky lajm përkon në politikën redaktuese si të tillë është botuar. Me këtë rast, kujtojmë se gazetarja në fjalë është vetëlarguar nga puna ditën e shtunë, datë 13 nëntor, një ditë pas përcjelljes së një ngjarje nga ajo. Sebahate Shala është ndjerë ‘e indinjuar’ pse në Agjencinë e Lajmeve KosovaPress është botuar kumtesa e zëvendësshefit të EULEX-it, Andy Sparks. Gazetarja ka kërkuar nga redaksia sqarim, se pse është publikuar reagimi i z. Sparks në ballinë, pasi me këtë sipas saj është demantuar ajo dhe ka njoftuar për largimin nga puna, largim të cilin sipas saj kishte dashur ta bënte qysh një natë me parë, por kishte pritur që këtë ta bënte të nesërmen”, thuhet mes tjerash në sqarimin e KosovaPress.
Edhe pse Reporterët pa Kufij kanë bërë thirrje për kthimin e saj në punë, KosovaPress sqaron se nuk e detyron dhe as obligon askënd nëse nuk ka dëshirë që të vazhdojë punën, “sikur se bëhet fjalë për largimin me dëshirë të Shalës”. Në sqarim thuhet se Shala asnjëherë deri më tani nuk e ka informuar dhe nuk ka kërkuar mbrojtje nga KosovaPress, për siç thotë nëpër reagimet e saj për mesazhet kërcënuese që ka marrë për artikullin e botuara.