Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver
Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës në Lituani, ka zhvilluar një sërë
takimesh me personalitete të shteteve të ndryshme të botës, pjesëmarrës
në “Komunitetin e Demokracive”. Marrëveshja për Riatdhesim, Marrëveshja
për Kthimin e Personave të Dënuar dhe Marrëveshja në fushën e Sigurisë
tashmë janë duke u negociuar mes dy shteteve dhe nënshkrimi i tyre
pritet të bëhet shumë shpejt.Në njoftimin për media thuhet
se ministri Hoxhaj është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të
Lituanisë, Audronius Azubalis dhe zëvendësministrin Egidijus Meilunas.
Në takim është ngritur nevoja e nënshkrimit të disa marrëveshjeve
bilaterale mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe
shkëmbimit tregtar. Marrëveshja për Riatdhesim, Marrëveshja për Kthimin e
Personave të Dënuar dhe Marrëveshja në fushën e Sigurisë tashmë janë
duke u negociuar mes dy shteteve dhe nënshkrimi i tyre pritet të bëhet
shumë shpejt.
Nga ana tjetër, zyrtarët e Lituanisë kanë siguruar ministrin Hoxhaj
se Lituania do të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Republikës
së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe kanë mirëpritur propozimin e
Ministrit Hoxhaj për organizimin e një forumi ekonomik në Prishtinë mes
dy shteteve, për të stimuluar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik mes
dy vendeve tona.
Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e
Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, shteti i të cilit nga
sot ka marrë kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Hoxhaj ka kërkuar nga homologu i tij mbështetjen e
Polonisë në procesin e Liberalizimit të Vizave dhe në integrimet
Euroatlantike.
Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Përfaqësuesen e Lartë të
Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton, me shumë Ministra të
Punëve të Jashtme dhe diplomatë të tjerë.
Në njoftimin për media thuhet se gjatë këtij forumi, Enver Hoxhaj, po
ashtu ka zhvilluar takime edhe me disa ministra të jashtëm të shteteve
anëtare të Ligës Arabe, të Organizatës së Konferencës Islamike, të
shteteve nga Afrika dhe Azia dhe me ministra të shteteve që ende nuk e
kanë njohur Republikën e Kosovës. /Telegrafi/