Detroit, 20 nëntor - Nëse kërkoni një avokat të zot për t'ju mbrojtur në një çështje të vështirë, atëherë qendra e Detroit Pistonsit, Ben Wallace, do të ishte në gjendje t'ju propozonte një të tillë - vetveten. Por, për të siguruar shërbimet e Wallacet duhet të jeni të durueshëm që të pritni derisa ai të diplomojë.
Pasi të përfundojë karrierën, katër herë lojtari më i mirë defensiv i NBA-së, e ka ndërmend të kryejë juridikun që të bëhet avokat mbrojtës. Wallace (36) ka biseduar për ambiciet e tij me avokatë në shtëpinë e tij në Richmond. Ai po ashtu ka nisur të kërkojë për shkolla me perspektivë për të kryer juridikun.
"Ky është synimi im final. Gjithmonë ka qenë një prej ëndrrave të mia. Mendoj se mund të zgjidh një çështje. Mendoj se mund të bind disa njerëz që të shohin gjërat si unë. Jam shumë serioz për këtë", ka thënë Wallace.
Wallace ka diplomuar në të drejtën penale në Universitetin "Virginia Union", ku edhe kishte luajtur basketboll. Ëndrra e tij është që të bëhet avokat pasi të përfundojë karrierën e tij të suksesshme në NBA. Ky është stinori i 15-të i tij në NBA. Wallace kalon kohën duke përcjellë emisione gjyqësore në televizion dhe thotë se këto do ta ndihmojnë për të kryer studimet. Ai i vlerëson avokatët e Richmondit, Murray H. Janus dhe Craig S. Cooley, si mentorë.
"Është një synim admirues. Nëse ai mund të sjellë në sallë të gjyqit energjinë që ka në basketboll, do të jetë i suksesshëm. Ai është një person që punon shumë", ka thënë Janus.
"Mund të kuptosh se ai ka nuhatje për atë profesion, pasi kemi folur disa herë me të. Duhet një përkushtim i madh për atë profesion dhe ai është një person që orienton energjinë në punë", ka thënë trajneri i Detroitit, John Kuester.
Ben Wallace me 206 centimetra e 109 kilogramë, për shumë vite është konsideruar si basketbollisti më i mirë defensiv në NBA. Me këtë figurë pa dyshim se do të impresionojë edhe në sallën gjyqësore.
Por, një problem është se Wallace duhet të heqë dorë nga veshjet e tij të zakonshme, xhinse e kapelë dhe të vishet me kostum. Edhe frizura e tij "afro" nuk do të ishte e mirëseardhur në sallën gjyqësore. Wallace nuk ka asnjë kostum dhe nuk di të lidhë kravatën. "Mendoj se herën e fundit që kam veshur kostum ka qenë në shkollën fillore", tregon Walace.
Wallace nuk do të parashikojë se kur do t'i kthehet juridikut, pasi ai po vazhdon të ndryshojë mendjen dhe po vazhdon karrierën në NBA. Ai seriozisht mendoi të pensionohet pas përfundimit të stinorit të kaluar, por Detroiti e bindi që të firmosë një kontratë të re dyvjeçare të vlefshme 4.3 milionë dollarë.
"Derisa të jem lojtar aktiv, koha ime është e limituar. Është një gjë që e kam pranuar dhe kam arritur paqe me këtë. Deri më tash gjithçka është në ajër. Nuk është e lehtë të largohesh nga basketbolli. Shumë njerëz mendojnë se gjëja më e vështirë në basketboll është të futesh në NBA. Por, kur të arrish një moshë dhe arrin të gjitha synimet, atëherë zbulon se gjëja më e vështirë e kësaj loje është që të largohesh", ka thënë Wallace.