Prishtinë, 27 dhjet0r - Në vitin që po lëmë pas, Kosova është njohur vetëm nga tetë shtete të botës. Më 19 nëntor, shteti i Tuvalusë shënoi njohjen e fundit, duke çuar në 72 numrin e vendeve që kanë pranuar shtetësinë e Kosovës.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat për të siguruar njohje.
“Unë ju siguroj që të paktën nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme - për aq kohë sa ajo është udhëhequr nga unë - është bërë çdo gjë që ka qenë e mundshme, që të sillen njohjet. Në këtë kuadër, njohjet kanë ardhur për aq sa kanë ardhur”.
“Mirëpo, përshtypja ime është se çështja e njohjeve po interpretohet në mënyrë shumë të thjeshtësuar, ndërkohë që është një problem shumë kompleks”, thotë Hyseni.
Diplomacia kosovare vazhdimisht ka qenë në thumb të kritikave nga ana e shoqërisë civile. Kjo e fundit ka kritikuar për mungesë të strategjisë për lobim.
Por, ish-ministri Hyseni edhe sot i hedh poshtë këto vërejtje, duke thënë se vonesa e njohjeve ndodh për shkak të interesave të shteteve veç e veç.
“Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë më shumë. Njohjet nuk mungojnë si pasojë e mungesës së aktiviteteve dhe punës së institucioneve të Kosovës - absolutisht jo”.
“Njohjet mungojnë për arsye të tjera... Shtete të ndryshme kanë arsye të ndryshme në rrafshin global... Duhet ta shihni këtë problem edhe në këtë mënyrë - në një rrafsh të përplasjeve të ndryshme në botë, e që diku ndeshen edhe në kurriz të Kosovës”, thotë Hyseni.
Më 22 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pas këtij vendimi, vetëm 3 vende kanë njohur shtetin e ri, ndonëse pritjet e Prishtinës zyrtare ishin të mëdha.
Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, thotë se diplomacia kosovare nuk ka ditur të shfrytëzojë në favor të sajin mendimin pozitiv të GJND-së. Hoxha e quan të pamjaftueshëm angazhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“E shoh si një nga dështimet më të mëdha që kanë pasur institucionet e vendit. Është krejtësisht e papranueshme edhe shifra, edhe cilësia e arritjeve në politikën e jashtme. Kemi pasur hapësirë për të bërë shumë më shumë sesa që kemi bërë”.
“Kemi shpërdorur mundësinë, siç ka qenë vendimi pozitiv i GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Në këtë fundvit, me kontestime zgjedhore dhe me një imazh krejtësisht negativ, kemi lënë pas njërin prej viteve të dështuara të politikës së jashtme”, thotë Hoxha.
Sipas tij, Kosova vazhdon të veprojë pa një platformë të caktuar diplomatike në arenën ndërkombëtare.
“Kosova ka pasur nevojë shumë më shumë sesa që ka prodhuar kjo qeveri, ai ministër, ky grup i institucioneve tona. Kosova nuk ka guxuar të lejojë trajtimin e shtet-formimit të vet në këtë nivel - kapaciteti i të cilit ka qenë definitivisht i pamjaftueshëm”, shprehet Hoxha.
Njohësit e së drejtës ndërkombëtare thonë se Kosovës i duhen më shumë se 100 njohje për anëtarësimin eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.