Doha, 8 janar - Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka përforcuar edhe më shumë idenë që Botërori 2022 i futbollit, që do të zhvillohet në Katar, të organizohet në dimër. Blatter ka thënë të premten se futbollistët duhet të kursehen nga temperaturat e larta që mbizotërojnë gjatë muajve të verës në Katar. Numri një i futbollit botëror këtë deklaratë e ka dhënë të premten në Katar, pas ceremonisë hapëse të Kupës së Azisë në futboll.
"Duhet të luajmë në periudhën më adekuate për të pasur një Botëror të suksesshëm. Për të pasur një Botëror të suksesshëm, duhet të mbrojmë lojtarët, që do të thotë se duhet të luajmë në dimër", ka thënë Blatter, përcjellin mediumet e huaja.
Katari në dhjetor është zgjedhur organizator i Botërorit 2022, përkundër frikës së madhe nga temperaturat e larta që mbizotërojnë në verë në këtë vend. Temperaturat maksimale në verë mund të shkojnë deri në 50 gradë celsius dhe janë të rrezikshme për shëndet. Kandidatura e Katarit triumfoi karshi atyre të SHBA-së, Australisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Botërorët e deritashëm janë mbajtur në fillim të verës.
Menjëherë pasi u shpall Katari organizator nisën diskutimet që Botërori 2022 të mbahet në dimër, përkatësisht në muajin janar. I pari që e dha këtë ide ishte legjenda e futbollit gjerman dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, Franz Beckenbauer. Ideja u përkrah edhe nga presidenti i UEFA-s, Michel Platini. Kundërshtarët e vetëm të kësaj ideje janë skuadrat e mëdha evropiane, që frikësohen se Kupa e Botës në dimër do të shkaktonte kaos në orarin e ligave dhe garave evropiane në nivelin e klubeve.
"Ne kemi ende kohë për të shqyrtuar gjithë dilemat. Ka edhe 11 vite kohë, por duhet të vendosim që të luajmë Kupën e Botës në periudhën më adekuate, që është janari apo fundi i vitit", ka thënë Blatter.
Blatter njëherit ka bërë me dije se çdo ndryshim i orarit së pari duhet të propozohet nga Katari, gjë që ende nuk është bërë. Nëse Katari bën kërkesë, atëherë mbetet te Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s që të vendos nëse do të mbahet Botërori i parë në dimër.