Gërhima- pakënaqësi e zhurmshme apo simptomë serioze?
Edhe pse shpesh është temë humori, nuk është aspak për të qeshur, sidomos jo për ata të cilët gjatë natës nuk flenë ose zgjohen pasi që ua zë frymën. Zhurma nga gërhima shkakton probleme të vogla ose të mëdha në familje të ndryshme, madje diku mund ta çrregullojë seriozisht jetën familjare. Personi që gërhit mund të bëhet shumë lehtë objekt talljeje, ndërsa nga ana tjetër mund të shkaktojë çrregullimin e gjumit të familjarëve të tij, duke shkaktuar pakënaqësi. Partnerët e personave që gërhasin zakonisht kanë probleme me gjumin dhe fiksohen pas zhurmës së gërhimës duke mos mundur të flenë, kështu që jepen pas tabletave për gjumë, mbyllësve për veshë, dalin në krevat tjetër ose e largojnë gërhitësin nga krevati. Personi që gërhit, zakonisht është temë e humorit familjar, sidomos atëherë kur i zë gjumi duke shikuar TV, duke ngrënë ushqim, në autobus, apo gjetiu. Ka njerëz që mund të flenë edhe kur ka zhurma të mëdha, mirëpo zhurma e gërhitjes është e veçantë dhe është vështirë që ta injorosh për shkak të ritmit të çrregullt, tonit të lart dhe diapazonit të zërave.
Apnea obstruktive e gjumit
Apnea e gjumit është sindromë që nënkupton sëmundjen në të cilën vjen deri te ndërprerja e rrymës së ajrit nëpër hundë, gojë dhe fyt gjatë gjumit. Shkaktar më i shpeshtë i apnesë së gjumit është ndonjë çrregullim trunor (qendrore), mund të jetë pengese e kalimit të ajrit nëpër hundë ose fyt (obstruktive), ose mund të jetë çrregullim i përzier (qendroro-obstruktiv). Nga të gjitha çrregullimet e gjumit, sindroma obstruktive e apnesë së gjumit është më e shpeshtë, dhe në bazë të pasojave, sëmundjes, ose edhe vdekjes, është forma më serioze e çrregullimit të gjumit.
Rënia e përqendrimit të oksigjenit në gjak, që ndodh sa herë që pengohet frymëmarrja (sulmi i apnesë së gjumit) duke fjetur, mund të sjellë deri te problemet e punës së zemrës, aritmitë, rritja e shtypjes së gjakut, por edhe pamjaftueshmëria e zemrës dhe goditja në tru; si edhe pengesat psikike, pengesat në përqendrim, në sjellje, në ngacmueshmëri etj.
Gërhitja e zhurmshme, e cila vjen pas çdo pengese të tillë në frymëmarrje gjatë fjetjes, është njëri nga simptomat e sëmundjes që quhet sindroma obstruktive e apnesë së gjumit dhe vjen si pasojë e ekzistimit të pengesave të rrymimit të ajrit nëpër rrugët e frymëmarrjes (nëpër hundë ose fyt), si edhe si pasojë e anatomisë dhe funksionit të çrregulluar të hundës, fytit dhe qiellzës së butë. Zëri i gërhimës vjen si pasojë e lëvizjes turbulente të ajrit e shkaktuar nga pengesat dhe vibracionet e indit limfatik të qiellzës së butë të lëshuar, si edhe nga strukturat e ënjtura të mukozës në pjesën e rrugëve të frymëmarrjes. Masat e ndryshmi në fyt, siç është rritja e tonzillave (bajameve), të cilat ngushtojnë rrugët e frymëmarrjes, shkaktojnë gërhitje. Te fëmijët, gërhitja është gjithmonë pasojë e indeve të tepërta në fyt- rritja e tonzillave dhe adenoidet (e a.q. tonzilla e tretë). Pengesat e frymëmarrjes nëpër hundë (inflamacionet, devijimet etj.) sjellin deri te kalimi i vështirësuar i ajrit nëpër këto struktura dhe shkaktojë gërhitjen. Ndërsa rritja e përnjëhershme e masës trupore me shtresat e yndyrës të deponuara rreth qafës, shkaktojnë ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes. Me anë të ekzaminimit klinik të otorinolaringologut do të zbulohet shkaktari i vërtetë dhe vendi i pengesës së frymëmarrjes, ndërsa në bashkëpunim me neurologun pason edhe mjekimi.
Hipoventilimi më i rëndësishëm te gërhima
Në rastet e apnesë obstruktive, gërhima ndërpritet në momentet e qetësisë dhe mosfrymëmarrjes (apnesë) në të cilat personi mundohet të sigurojë sa më shumë ajër. Pas disa sekondave vjen deri te frymëmarrja e fuqishme, e cila përcillet me gërhimë të zhurmshme, me ç’rast shpesh ndodh që individi të zgjohet nga gjumi, si pasojë e mungesës së ajrit dhe të merr frymë me vetëdije se ka mungesë oksigjeni. Nganjëherë ndodh edhe deri te kontraktimi toniko-klonik i dorës, këmbës ose gjithë trupit. Ndodh që gërhitësi gjysmë i zgjuar qëndron ulur në krevat ose rrëzohet nga ai, dhe kjo sjellje ia prish gjumin partnerit. Sulmet e kohëpaskohshme të mosfrymëmarrjes dhe gërhimës janë të rralla dhe normale te popullata e shëndoshë. Patologjike konsiderohen nëse zgjatin më shumë se 10 sekonda, dhe paraqiten më shumë se 7-10 herë brenda një ore.
Shumë pacientë me apne mund të kanë qindra sulme që zgjasin më shumë se 30 sekonda dhe paraqiten më shumë se 50 herë në orë, gjë që mund ta kalojnë gjysmën e gjumit në obstruksion, hipoksi (ulje e nivelit të oksigjenit në gjak), pagjumësi dhe gjumë sipërfaqësor. Këta njerëz zgjohen me ndjenjën e lodhjes, sikur të mos kishin fjetur dhe gjatë gjithë ditës dëshirojnë të flenë (hipersomnolenca ditore). Gjumi i zë shumë shpejtë duke qëndruar ulur në autobus, duke pritur, duke lexuar ose duke shikuar TV. Madje ndodh që nganjëherë të flenë edhe duke vozitur, që paraqet rrezik, sidomos nëse ushtrojnë profesionin e vozitësit profesionist ose pilotit. Te fëmijët gjumësia ditore shpesh shfaqet me hiperaktivitet dhe sjellje joshoqërore.
Gjatë gërhimës është me rëndësi kohëzgjatja e ndikimit të hipoventilimit (zvogëlimit të vëllimit të frymëmarrjes) dhe sulmit të mosfrymëmarrjes, që sjellin deri te rënia e përqendrimit të oksigjenit në gjak (hipoksia)- ndaj të cilit janë në veçanti të ndjeshëm truri dhe zemra. Mund të paraqiten ndryshime thelbësore në nivelin e gazrave në gjak- rritet niveli i CO2 dhe bie niveli i O2- që nëse zgjat shumë, atëherë rritet rreziku për sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Shpesh paraqiten edhe aritmitë e zemrës. Hipoventilimi disavjetor shkakton hipertensionin mushkëror dhe rritjen e ngarkesës së zemrës që mund të sjellë deri te hipertensioni sistemik (rritja e shtypjes së gjakut).
Fëmijët të cilët kanë tonzilla dhe adenoide të rritura, për shkak të mundësisë së gërhitjes dhe paraqitjes së OSA-s, janë shumë më të rrezikuar që të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, si dhe çrregullimet në zhvillimin dhe sjelljet e tyre.