Personeli i mesëm shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është acaruar pasi ka kuptuar se nga ky muaj kujdestaritë e tyre do të paguhen vetëm 3.60 euro. Muhamet Sadiku, përfaqësues i punëtorëve në mjekimin intensiv, bëri të ditur se këtë zbritje të pagesës së kujdestarive e kanë kundërshtuar rreth dy mijë punëtorë të qendrës terciare.
“Nuk arsyetohet në asnjë mënyrë, sepse, fillimisht, këta e lënë kujdestarinë e shkojnë punojnë privat, ne e dimë sepse këtu punojmë. Pse t’i interesojë kjo atij kur dëshiron t’i rregullojë interesat e veta edhe pse asnjë punë nuk mund ta bëjë pa teknik. Mund të them që dy mijë nënshkrime janë dërguar në drejtorinë e QKUK-së dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe është kërkuar kthimi i kujdestarive. Unë nuk po them që mos t’ua rrisin kujdestarinë mjekëve, por jo me na heq neve e me ua qit atyre”, ka thënë Sadiku për Radio Blue Sky .
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Lulëzim Emini ka thënë se nuk ka lëshuar asnjë vendim lidhur me zbritjen apo ngritjen e kujdestarive dhe se e ka urdhëruar zbatimin e Ligjit të punës.
“Nëse ne e zbatojmë ligjin dhe prej aty luftojmë për ngritje pagash, ajo është diçka tjetër. Nuk duhet kuptuar si ngritje apo ulje e kujdestarive. Pse? Infermierët nuk kujdestarojnë, ato kanë punë të ditës dhe të natës, që dallon. Kujdestari ka mjeku që rrinë 24 orë, infermierja punon 12 orë ditën dhe 12 orë natën dhe shërbimi i financave e bënë llogaritjen komfor ligjit për orë pune sa bënë brenda vitit”, ka thënë Emini.
Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë në dijeni për shqetësime të ndryshme që kanë të bëjnë më pagesat e kujdestarive dhe pagat në QKUK. Zëdhënësi Faik Hoti ka thënë se kjo çështje do të trajtohet me zyrtarë të QKUK-së dhe do të arrihet një zgjidhje që nuk bën diskriminim ndërmjet niveleve të punonjësve shëndetësor.
Me Ligjin e punës, orët e punës ndërmjet orës 22:00 dhe 6:00 numërohen si punë nate dhe jo si kujdestari. Me këtë ligj, të punësuarit i takon paga shtesë prej 30 për qind për punë gjatë natës mbi pagën bazë, derisa shtesa prej 20 për qind në orë u takon të punësuarve që kujdestarojnë.