Tuneli i Kalimashit, përkatësisht tubi jugor i këtij tuneli, është drejt përfundimit dhe është i gatshëm për qarkullimin e të gjitha automjeteve, paraditen e së premtes. Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve të Shqipërisë ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se ky tunel do të jetë i gatshëm për qarkullim të premten pas orës 10:00.
Po sipas këtyre burimeve mësohet se tuneli jugor ka përfunduar së betonuari. Në të njëjtën kohë janë hequr tërësisht armaturat, ka përfunduar asfaltimi, ndërsa drejt përfundimit është procesi i instalimit të energjisë elektrike dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj.
Ndërkohë, që do të vijojë puna për përfundimin e punimeve në kahun verior të tunelit. Punimet elektromekanike në tubin jugor të tunelit kanë përfunduar të gjitha, raporton sot gazeta Koha Ditore.
Burime të kompanisë menaxhuese të tunelit “Savronik” kanë bërë të ditur se qarkullimi në tubin jugor të tunelit të Kalimashit do të jetë i mundur gjatë 24 orëve, por ky qarkullim do të bëhet me “sens të alternuar”.
Kjo do të thotë se qarkullimi i automjeteve në këtë tunel do të bëhet sikur ka ndodhur edhe vitin e shkuar në tubin verior, ku automjetet kanë pritur në radhë duke u alternuar në portalet respektive.
“Qarkullimi plotësisht i lirë do të realizohet kur të përfundojë edhe tubi verior i tunelit, ku llogaritet që të aplikohet edhe pagesa”, shprehet një nga operatoret e kompanisë “Savronik”.
Sipas operatorit të kësaj kompanie, qarkullimi me sens të alternuar është e vetmja gjë e përbashkët me qarkullimin e verës së shkuar, pasi çdo gjë tjetër në këtë tunel është tashmë ndryshe. Operatori e ka fjalën për pajisjet moderne që ka të instaluara tubi jugor i tunelit, si dhe përfundimi i të gjitha punimeve në këtë tub.
Pajisjet zjarrfikëse të instaluara në tunel janë nga katër pajisjet e teknologjisë më të avancuar në botë kundër zjarrit, ku të njëjtat mjete përdoren edhe nga strukturat e NATO-s. Ndërkohë që teknologjia që është e instaluar në tunelin e Kalimashit është nga më bashkëkohoret dhe këtë lloj teknologjie kanë privilegjin ta kenë vetëm 6 tunele në botë.
Shpërthimi simbolik për fillimin e punimeve në tunelin e Kalimashit është bërë më 4 shkurt të vitit 2007, rreth një javë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Ndërsa “de facto” shpërthimi i parë që është pasuar me fillimin e gërmimeve të tunelit Thirrë-Kalimash, 5.65 kilometra, u krye me 25 maj të vitit 2007, në hyrje të kësaj vepre.
Njëra nga galeritë e tunelit të Kalimashit, ajo e krahut verior, është lëshuar për qarkullim më 25 qershor, vetëm dy ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Tuneli i Kalimashit është mbyllur me kohë të plotë mbrëmjen e 11 tetorit të vitit kaluar , ku ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, sqaroi opinionin se mbyllja e tunelit bëhet për t’i dhënë mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar.
Më 5 nëntor të vitit të shkuar në tubin jugor të tunelit të Kalimashit ka ndodhur një shembje me një gjatësi prej 50 metrash. Kjo shembje nuk ka shkaktuar viktima në njerëz apo dëmtime të mjeteve të kompanisë.
Kostoja shtesë, pas shembjes së ndodhur dhe rishikimit të dizajnimit të projektit për rreth 2 kilometra në mesin e të dy tubave kap vlerën e rreth 30 milionë eurove. Nga vlerësimet që ka Ministria e Transporteve për trafikun vlerësohet se trafiku i këtij viti përmes tunelit të Kalimashit do të mbërrijë deri në 15-16 mijë automjete në ditë, që do të thotë katër herë më shumë se parashikimi përpara fillimit të ndërtimit të rrugës Milot-Kukës-Morinë.