Prishtinë, 11 janar - Legjenda e boksit, Aziz Salihu, ishte vetë pjesë e zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Zëri i tij nuk do të dëgjohet në Parlamentin e Kosovës, por ai shpreson që të vijë një Qeveri që do të përfillë atë dhe sportistët e mëdhenj si ai.
Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në "Los Angeles 1984", vlerëson se viti 2011 është rasti i fundit për të thyer izolimin që ka mbërthyer sportin e Kosovës tash e dy dekada.
Salihu është i gatshëm të japë kontributin e tij në këtë drejtim dhe ai thotë se do ta bëjë këtë, me apo pa përkrahjen e institucioneve, shkruan sot “Koha Ditore”.
"Pres të jetë një vit i mirë. Unë do të bëj të pamundurën kur është fjala për Kosovën dhe sportin kosovar. Duhet të punohet për sportin dhe këtë vit do të bëj gjithçka për të lobuar për sportin tonë, madje do të vizitoj shumë shtete vetëm për të mirën e sportit", tha Salihu të hënën. "Mbi të gjitha, shpresoj të vijë një Qeveri, e cila do të më jap vendin e merituar, sepse nuk meritoj të trajtohem në këtë mënyrë si deri më tash".
Ish-boksieri i famshëm, jo vetëm në Kosovë e Jugosllavi, vlerëson se Kosova rrezikon të humbasë edhe Olimpiadën e ardhshme në Londër, nëse nuk punohet dhe nëse sportistët e mëdhenj si ai, nuk marrin përgjegjësitë që, sipas tij, u takojnë. Ai pohon se nuk është vetëm i boksit.
"Unë nuk jam vetëm i boksit, por i gjithë sportit kosovar. Gjithmonë e kam afirmuar sportin dhe do ta afirmoj edhe nëse nuk marr përkrahje nga askush. Ky aktivitet nuk është ndonjë gjë e re për mua. Unë punoj për Kosovën tash e shumë vite", u shpreh ai. "Nuk bën që Kosova të mbetet pa pjesëmarrje në Olimpiadën e vitit 2012, kjo është një garë e madhe dhe ne nuk bën të flemë, por të punojmë. Thërras edhe sportistët tjerë të më bashkohen në këtë aksion".
Pjesëmarrësi i tri olimpiadave dhe shumë turneve të mëdhenj botërorë e evropianë, mendon se zgjidhja më e mirë për sportin është që sporti të drejtohet nga sportistët. Ai insiston që shumë federata dhe institucione të tjera duhet të "pastrohen" nga ata që ai i quan "dashakëqij të sportit".
"Qeveria duhet të thërrasë të gjitha federatat dhe në krye të tyre të emërojë sportistët e merituar dhe t'i largojë ata që nuk ia duan të mirën sportit. Duhet lënë anash xhelozitë dhe të punojmë për të mirën e sportistëve tanë, është koha të pranohemi", ka thënë Salihu që është nënkryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kryetar i klubit më të madh të Kosovës, Prishtinës.
Ai ka disa vite që nuk ushtron asnjë aktivitet në Federatën e Boksit, por megjithëkëtë, ai organizon turne ndërkombëtare të boksit më shumë se çdo organizatë apo individë.
"Përkundër problemeve që kisha vitin e shkuar arrita të mbaj turne të shumtë. Kurse, tash për ditën e pavarësisë do të mbajë turneun ndërkombëtar 'Pavarësia' ku do të marrin pjesë shumica e shteteve evropiane".
Salihu në zgjedhjet e fundit nacionale ishte kandidat për deputet në listën e LDD-së, por kjo parti nuk kaloi pragun. Ai thotë se ftesën e LDD-së e kishte pranuar për të mirën e sportit. Synonte që edhe në parlament të kishte një zë që do të merrej ekskluzivisht me sportin. Por, ky plan i mbetet për ta realizuar ndonjëherë tjetër.
"Në momentin e fundit i jam bashkuar LDD-së. Kam menduar të futem në parlament vetëm për të ngritur zërin për sportin kosovar, sepse ka ardhur koha që ai të jetë prioritet", shtoi ai. Por, si asgjë tjetër në jetë, zgjedhjet e befasuan. Ai është i bindur se populli e do si një sportist të madh, ndonëse zgjedhjet nuk folën aq mirë për të dhe LDD-në.
"Me të vërtetë jam befasuar, në fshatin tim Banullë kam marrë vetëm katër vota edhe kjo nga familjarët. Me të vërtetë nuk i kuptoj dhe kam mbetur i befasuar me votat. Unë e di se populli më do".
Projekti i radhës, "Zizi TV"
Aziz Salihu thotë se është në përfundim e sipër për të krijuar një zë të fuqishëm për sportin e Kosovës. Ai thotë se po punon që të hap një televizion dhe ai do të njihet me nofkën e tij, "Zizi TV".
"Gjithçka është gati, pres të marr vetëm lejen nga organet kompetente. Besoj se do të jetë zë i fuqishëm për lobimin dhe zhvillimin e sportit", ka thënë