Beograd, 14 janar – Pas “raportit për vrasjen” e dy anëtarëve të familjes Muriqi nga Peja, të cilët gjoja janë vrarë sepse kanë dashur të dëshmojnë kundër Ramush Haradinajt, e të cilët ekipi i KTV-së i gjeti gjallë e shëndoshë në Pejë, sot u zbulua edhe një e pavërtetë e re e madhe e Prokurorisë serbe për krime të luftës, edhe një gënjeshtër e madhe që u servohet raportuesve proserbë në Parlamentin Evropian.
Bozhidar Gjuroviq dhe Ljubomir Zdravkoviq, dy serbë nga fotoja, që gazeta Kurir e publikoi të enjten, dhe në të cilën ata shihen me duar të lidhura, duke u shoqëruar nga katër ushtarë të UÇK-së, janë gjallë e shëndoshë, por nuk jetojnë në Kosovë, shkruan sot gazeta serbe Kurir, pas telefonatave të shumta që kishte marrë nga të afërmit dhe miqtë e dy serbëve. Në vijim do të sjellim shkrimin e sotëm, kurse pas tij edhe shkrimin e djeshëm të publikuar në Kurir, ku dalin të pavërteta të shumta të thëna nga Prokuroria serbe për krime lufte, duke filluar nga “vrasja”, viti i ndodhjes së ngjarjes, vendi i ngjarjes, etj.
Si i thanë redaksisë së kësaj gazete miqtë dhe anëtarët e familjeve të Bozhidar Gjuroviqit dhe Petar Zdravkoviqit, këta dy prizrenas janë “kidnapuar” nga UÇK-ja nga mesi i qershorit të vitit 1999.
“Të gjithë anëtarët e familjes sonë janë larguar nga Prizreni më 12 qershor 1999”, thotë Petar Zdravkoviq, nip i Ljubomirit dhe vijon: “Gjyshi dhe shoku i tij, Bozhidar Gjuroviq mbetën të fundit. Ata duhej të nesërmen të nisen me ne. Ata deshën edhe ta bëjnë këtë, por u kthyen të fusin në prizë sërish frigoriferin për ngrirje të thellë në shtëpi, kur u arrestuan nga disa ushtarë. I kanë dërguar në një shtëpi dhe i kanë mbajtur disa orë. I kanë zhveshur dhe i kanë rrahur... Para kësaj iu kishin marrë të gjitha dokumentet dhe të gjitha gjërat. Në mesin e dokumenteve ishte edhe telefoni i një komshiu tonë shqiptar. Ushtarët thirrën në atë numër dhe pas asaj bisede i lëshuan”, sqaron Zdravkoviq.
Edhe djali i Bozhidar Gjuroviqit, Janko tha për Kuririn se tërë familja Gjuroviq ka pasur lidhje me ushtrinë.
“Babai ka punuar në Shtëpinë e Armatës në Prizren, unë dhe vëllai im punojmë për ushtrinë. Pasi e arrestuan tim et, e pyetën se ku i ka djemtë. Ai u tha se ata që moti ishin larguar për në Serbi. Mbase edhe kjo është një prej arsyeve që i kanë liruar. E kanë ditur se do të largohemi”, tha Gjuroviq, i cili para pak kohësh ishte në Prizren, pas 11 vjetësh.
Në shkrimin e publikuar një ditë më parë, me të njëjtën foto, ndërkaq, e të titulluar “Kush janë kriminelët e kush viktimat?, thuhej se katër terroristë të armatosur të UÇK-së po shoqëronin dy civilë, me gjasë serbë.
“Në kohën e storjes për tregti me organe, kidnapime dhe vrasje të serbëve në Kosovë, Kurir ka ardhur në posedim të një fotoje, në të cilën gjenden katër persona (tash për tash) të panjohur me uniforma të UÇK-së terroriste, duke shoqëruar dy civilë, me gjasë të nacionalitetit serb.
Si merr vesh Kurir nga burimet e afërta me Prokurorinë serbe për krime të luftës, fotoja është bërë nga mesi i vitit 1998, në rajonin e Lipjanit, kurse ka qenë objekt i hetimit të Tribunalit të Hagës në procesin kundër njërit prej komandantëve të UÇK–së, Fatmir Limaj.
“Bëhet fjalë për komunat Lipjan, Shtimje dhe Drenas. Sipas uniformave të pjesëtarëve të UÇK-së, bëhet fjalë për vitin 1998. Pjesëtari i fundit i UÇK-së në të djathtë bart në krahun e majtë shenjën P. Pas asaj germe do të duhej të ishte edhe shkronja U, që do të thotë “policia ushtarake”. Kjo polici është formuar në qershor të vitit 1998 në brigadën e Limajt, të cilës i takojnë edhe njerëzit nga kjo foto”, sqaroi bashkëbiseduesi i Kuririt (natyrisht nga prokuroria serbe), dhe vijon:
“Pikërisht në atë periudhë ka pasur më së shumti kidnapime dhe arrestime të shqiptarëve dhe serbëve, kurse njerëzit e Limajt ishin më aktivët. Është e mundshme që bëhet fjalë për fshatin Krojmirovc, kurse në foto jaën fshatarët – me gjasë serbë të kidnapuar nga rruga magjistrale”.prokuroria serbe, Tribunali i Hagës në fund nuk e ka shfrytëzuar këtë foto në procesin kundër Fatmir Limajt, pasi është marrë vetëm me llogorin në Llapushnik”.