Prishtinë, 23 janar- Administrata e Kuvendit të Kosovës është bërë gati për t’ua hapur dyert deputetëve që do të dalin nga zgjedhjet e parakohshme, të cilat kanë nisur më 12 dhjetor të vitit të kaluar.
Nga fundi i nëntorit, ato dyer nuk kanë qenë të mbyllura vetëm për nëntë deputetë të legjislaturës së shpërbërë. Të privilegjuarit ishin anëtarët e Kryesisë së Kuvendit. Ata duhet ta ruajnë vazhdimësinë e punës, deri në zëvendësimin nga të tjerët. Për një pjesë të deputetëve të ardhshëm hyrja në Kuvend do të jetë procedurë krejt normale, por jo edhe për të gjithë.
Ata që për herë të parë sigurojnë ulëse në këtë institucion, paraprakisht do të duhej t’i nënshtroheshin një trajnimi dyjavor.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi thotë se trajnimi do të mbahet nga dy ditë në javë, me synim që deputetëve të rinj t’u krijohen mundësitë për të fituar njohuri mbi secilin segment të punës së legjislativit.
Për rëndësinë e Kuvendit atyre do t’u flasë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kurse sistemin e punës së brendshme në Kuvend do t’ua shtjellojnë një anëtar i Kryesisë së tashme, një shef i një grupi të caktuar parlamentar, si dhe një nga kryetarët e komisioneve parlamentare.
Në ditët e tjera ata do të njihen me Rregulloren e punës së Kuvendit, me praktikat e bashkëpunimit të Kuvendit me institucionet simotra në rajon e më gjerë dhe krejt në fund, pasi të mësojnë se si duhet përdorur makinat e votimit në sallën e seancave plenare, do të fotografohen dhe do t’i marrin kartat e identitetit prej deputeti.
Krasniqi beson se i gjithë trajnimi do të kryhet para se të mbahet mbledhja konstituive e legjislaturës së katërt.
Ajo mbledhje parashihet të thirret nga Presidenti brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bindjen se certifikimi i këtyre rezultateve do të ndodhë në fillim të muajt të ardhshëm. “Nuk ka ndonjë datë të saktë, por mund të jetë fillimi i shkurtit”, ka thënë ajo, përmes një bisede të shkurtër telefonike.
Mirëpo një burim i gazetës brenda KQZ-së nuk e përjashton mundësinë që certifikimi i zgjedhjeve të bëhet me 6 shkurt.
“Shumëçka varet nga procesi zgjedhor në Mitrovicë, por aktualisht ekziston një orientim që certifikimi të kryhet me këtë datë”, ka thënë ai.
Nëse rezultatet zgjedhore certifikohen më 6 shkurt, që i bie të jetë ditë e diel, atëherë mbledhja e parë e Kuvendit do të duhej të mblidhej para datës 6 mars. Meqë Kosova aktualisht nuk ka president të zgjedhur, mbledhjen mund ta thërrasë ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi. Kushtetuta e parasheh edhe opsionin që Kuvendi mund të mblidhet edhe pa pjesëmarrjen e presidentit.
Përgatitjet për mbledhjen konstituive bëhen nga kryetari i Kuvendit të legjislaturës së fundit. Ai bashkë me anëtarët e Kryesisë, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të Kuvendit, parashihet ta thërrasin një mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive parlamentare, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të Kuvendit. Në atë mbledhje do të caktohen edhe vendet ku do të ulen deputetë në sallë. Sistemimi i tyre parashihet të bëhet sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike. Nëse dy apo më shumë parti parlamentare kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë bëhet sipas shortit.
Skenari i seancës konstituive
Në rendin e ditës për mbledhjen konstituive të Kuvendit parashihet të hyjë formimi i komisioneve të përkohshme për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, si dhe zgjedhja e kryetarit dhe e pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve mbledhjen konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.
Në legjislaturën e kaluar kanë qenë Mark Krasniqi dhe Njomza Emini që e kanë kryer këtë punë.
Nëse deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri mungojnë ose e refuzojnë kryesimin e mbledhjes konstituive, atëherë mbledhja kryesohet nga deputetët të cilët, sipas moshës, vijnë menjëherë pas tyre.
Kryesuesi i mbledhjes konstituive të Kuvendit, pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, duhet të kërkojë nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.
Ky komision pasi ta shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve duhet t’ia paraqesë Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit, ndërkohë duhet ta verifikojë edhe kuorumin në mbledhje. Tek pas verifikimit të mandateve parashihet betimi i deputetëve. Deklaratën e betimit duhet ta lexojë kryesuesi i mbledhjes, ndërsa deputetët në fund të deklaratës vetëm shqiptojnë fjalën “Betohem”.
Por kjo nuk është e mjaftueshme. Secili nga ta duhet ta nënshkruajë më pas atë deklaratë. Deputeti që mungon në mbledhjen konstituive, kur bëhet betimi, e ka për obligim që të betohet në mbledhjen e parë të radhës.
Aktualisht nuk dihet vetëm për deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje!” a do ta japin apo jo këtë lloj betimi.
“Në fakt, kemi ca ide se çfarë do të bëjmë. Por në momentin e caktuar do të bëhet e ditur kjo”, ka thënë muajin e kaluar lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.
Në mbledhjen konstituive të Kuvendi planifikohet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, të cilët në fakt e përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.
Zgjedhja e nënkryetarëve aplikohet për herë të parë në këtë legjislaturë, pasi deri tani Kuvendi është drejtuar nga kryetari dhe anëtarët e Kryesisë.
E drejta për ta propozuar kryetarin
Të drejtën për ta paraqitur kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka grupi më i madh parlamentar. Në bazë të rezultateve të deritanishme, PDK-ja është partia që do ta ketë fuqinë më të madhe në Parlament.
Një nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk e përjashton mundësinë që PDK-ja të propozojë për kryetar të Kuvendit ndonjë kandidat që vjen nga partitë e tjera. “Krejt varet nga marrëveshja që do të bëjë PDK-ja me partnerët e ardhshëm të koalicionit”, ka thënë ai, pa dashur të identifikohej me emër.
Kryetari i Kuvendit parashihet të zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, që i bie në minimum 61 vota.
Pastaj tri grupet më të mëdha parlamentare kanë mundësi që ta propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të Kuvendit, emërimi i të cilëve bëhet po ashtu me shumicën e votave të deputetëve.
Propozimet për nënkryetar të Kuvendit parashihet t’i japin edhe deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb, si dhe deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera e që nuk janë shumicë.
Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës atëherë e shpall rezultatin e votimit për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit dhe fton kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit ta zërë vendin e tij. Gjendja aktuale me ushtrues detyre të presidentit imponon nevojën për të nisur menjëherë procedurën për zgjedhjen e presidentit.
Deri në momentin e zgjedhjes së presidentit të ri kryetari i ardhshëm i Kuvendit do të jetë me automatizëm edhe u.d. i presidentit.
Presidenti, sipas Kushtetutës, zgjidhet me votim të fshehtë.
Pas zgjedhjes ai duhet të konsultohet me partinë ose koalicionin që e ka fituar shumicën e vendeve në Kuvend në mënyrë që t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër. Kandidati i emëruar për kryeministër ia paraqet Kuvendit brenda 15 ditëve përbërjen e Qeverisë dhe programin qeveritar për miratim. Qeveria zgjidhet nëse e merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, atëherë presidenti, brenda dhjetë ditëve, duhet ta propozojë kandidatin tjetër për kryeministër, sipas së njëjtës procedurë.
Dhe, nëse as në votimin e dytë Qeveria e propozuar nuk i merr në minimum 61 vota, presidenti shpall zgjedhje të reja për Kuvend.
Zgjedhjet, në raste të tilla, do të duhej të mbaheshin brenda dyzet ditësh, nga dita e shpalljes së tyre.