Në një operacion të gjerë, që është zhvilluar në Gjakovë dhe në Mitrovicë, policia arrestoi pesë të dyshuar dhe konfiskoi mbi 130 mijë euro me dyshimin se janë të falsifikuara. Zyrtarët policorë në Gjakovë, gjatë një kontrolli rutinor kanë arrestuar 3 persona të dyshuar për falsifikim të parave dhe armëmbajtje pa leje, njofton Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit policor, te njëri nga të dyshuarit policia ka gjetur një armë "Zastava Ekol Tuna" me dy karikatorë dhe tre fishekë të kalibrit 8 mm, thuhet në njoftim. Në vazhdimësi të kontrollit policia ka gjetur edhe pesë bankënota nga 50 Euro, për të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara dhe të cilat janë konfiskuar.
Pas një koordinimi të mirë në mes hetuesve të DHKEK-së (Drejtorinë për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion) dhe Prokurorisë së Qarkut në Pejë është bërë edhe kontrolli në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku policia konfiskon edhe tri bankënota nga 50 euro me dyshimin e bazuar se janë të falsifikuara.
Bazuar në informatat e grumbulluara përmes rrugëve operative, policia vazhdoi operacionin edhe në Mitrovicë, ku dyshohej se disa persona mund të kishin në posedim sasi edhe më të mëdha të bankënotave të falsifikuara.
Njësitet policore të DHKEK-së me urdhëresë të prokurorit të Qarkut (Pejë), të përkrahur edhe nga Njësiti Special Operativ (i njohur si FIT) ishin vënë në kërkim të personave të dyshuar në Mitrovicë. Të dyshuarit në ikje e sipër kishin hedhur një qese të zezë nga vetura e dyshuar disa metra para se të bllokoheshin në një tubë zhavori.
Policia arrestoi dy të dyshimtë dhe konfiskoi qesen e zezë, në të cilën ndodheshin 134.850 euro (bankënota nga 50 euro) me dyshimin e bazuar se janë të falsifikuara. Si pjesë e këtij operacioni, policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e një të dyshuari në Mitrovicë.
Për falsifikim parash dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar Të armës, në të dy operacionet (në Gjakovë dhe në Mitrovicë) policia arrestoi pesë të dyshuar meshkuj kosovarë.
Siç njofton policia, janë arrestuar P.F. (Klinë), M.M. (Gjakovë), K.N. (Klinë), A.I. (Mitrovicë) dhe D.R. (Mitrovicë), ndërkaq si provë materiale janë konfiskuar: 135.250 euro (të gjitha në bankënotë 50 eurosh), një armë "Zastava Ekol Tuna", dy karikatorë dhe tre fishekë të kalibrit 8 mm, dy automjete (Opel Astra dhe BMW X-5).
Policia e Kosovës bënë apel tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë pranimit të bankënotave 50 eurosh, që së pari t’i kontrollojnë për tiparet e sigurisë.
Tiparet e sigurisë tek bankënotat origjinale euro janë: shenja ujore, shtypi reliev (me gritha), shiriti i sigurisë, honogrami (vula e honogramit), ngjyra vizualisht e ndryshuar (me lëvizjen e bankënotës ndryshon ngjyra nga vjollcë në të gjelbër. Shikoni përtej regjistrit ( në pjesën e përparme gjendet gjysma e numrit të bankënotës, kurse gjysma tjetër gjendet në pjesën e pasme, por në të njëjtën pozitë, mikro-shkrimi, kualiteti i letrës (është më i yndyrshëm dhe ka aromë), këshillon policia qytetarët. /koha/