Prishtinë, 28 janar – Emisioni “Rubikon” i kanalit më alternativ në Kosovë, duke nisur nga java e ardhshme do të vijë në ekranet e Kohavisionit tri herë në javë. Çdo të martë, të mërkure dhe të enjte, në orën 20:15, ky emision do të sjellë ‘live’ debate për tema të ndryshme nga politika, ekonomia, kultura etj.
Adriatik Kelmendi, autori i emisionit “Rubikon”, njëherësh kryeredaktor i Kohavisionit, ka dhënë detaje lidhur me arsyen e zgjerimit dhe ndërrimit të konceptit të njërit prej emisioneve më të shikuara të KTV-së.
“Shikuesit e KTV-së së shpejti do të kenë rastin të shohin ‘Rubikonin’ nga tri herë në javë. Përveç shtimit të terminëve, po ashtu është zgjeruar edhe tematika e emisionit”, ka thënë Kelmendi, teksa ka shpjeguar se kjo është bërë për shkak të kërkesave të shumta të shikuesve.
Kelmendi ka zbërthyer konceptin e zgjeruar të emisionit që udhëheq.
“Përveç si emision politik, ai do të jetë i përqendruar edhe në tema historike për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ka shumë data e ngjarje që nuk janë trajtuar asnjëherë si duhet nga televizionet tona”, ka thënë Kelmendi.
“Po ashtu do të ketë emisione për njerëz të veçantë me përvoja interesante si dhe debate nga fusha të shumta”, ka shtuar ai.
Duke zbuluar detaje për ndryshimet në “Rubikon”, Kelmendi ka paralajmëruar temën e radhës që do të shtjellohet javën e ardhshme.
“Njëra prej temave të radhës është ‘Kush ia nisi luftës më i pari’, kur do të jenë të ftuar përfaqësues të subjekteve e organizatave të ndryshme që kanë kontribuar në rezistencën e armatosur për pavarësimin e Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai.
Drejtori i programit në Kohavision, Birol Urcan, ka thënë se zgjerimi i “Rubikonit” është pjesë e ndryshimit të skemës programore të Kohavisionit. “Në kuadër të ndryshimeve që i kemi bërë për publikun më të theksuarat janë në programin informativ. Ndër risitë që kemi sjellë për shikuesit është edhe ‘Rubikoni’ që për shkak të interesimit të madh tash e tutje do të transmetohet tri herë në javë”, ka thënë Urcan.