Londër, 1 shkurt - Po, rreziqet! Shumë njerëz mendojnë që lëngjet e freskëta janë të mira në çfarëdo sasie dhe të parrezikshme. Megjithatë, kjo nuk është kështu. I njëjti lëng mund t’i ndihmojë një personi dhe t’i bëjë keq personit tjetër.
Nuk duheni ta mbivlerësoni fuqinë shëruese të lëngjeve. Para së gjithash, janë artikuj ushqimorë. Ndikimi i tyre nuk është shërues. Nuk mund ta shëroni sëmundjen me terapi të lëngut, mundeni vetëm t’i ndihmoni organizmit tuaj.
Lëngjet e freskëta janë zgjedhje të këqija te disa sëmundje. Kështu, nëse keni ulcerë peptike, gastritis apo pankreatitis nuk guxoni të pini lëng të limonit, mollës, stafidhes apo boronicës së kuqe. Ato përmbajnë shumë kompozime organike të cilat rrisin aciditetin e stomakut, çka mund të nxisë urthin dhe dhimbje.
Konsumimi i lëngut të rrushit duhet të kufizohet nëse keni diabet. Ky lëng përmban shumë glukozë dhe kalori. Po ashtu nuk preferohet të pini shumë lëng të rrushit nëse keni sindromën e zorrëve të irrituara.
Mbani mend, shumë lëngje të freskëta kanë veçori laksative. Kështu që nëse vuani nga diarreja duheni t’i holloni me ujë dhe t’i pini pak nga pak.
Për të fituar vitaminat e nevojshme, nuk duhet të pini një litër lëng në ditë. Eksperimentet e tilla vetëm mund t’i bëjnë dëm organizmit. Një sasi e arsyeshme është prej disa lugësh deri në 3 gota në ditë varësisht nga lloji i lëngut.
Ekziston mendimi që lëngu nuk duhet të përgatitet me ndihmën e shtrydhësit elektrik të frutave, sepse vitaminat shkatërrohen në kontakt me metalin. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Nëse përgatisni lëngun duke përdorur metodën e gjyshes, me ndihmën e rendes dhe gazës, humbja e vitaminave është po ashtu e pashmangshme.
Lëngjet e freskëta nga pemët dhe perimet plotësohen në mënyrë të shkëlqyer. Lëngjet e frutave janë të pasura me sheqerna dhe vitamina, ndërsa lëngjet nga perimet me kripëra minerale.
Më mirë është që lëngjet të pihen 30 deri 40 minuta para shujtës apo gjatë pauzës në mes shujtave. Nëse i pini lëngjet prej pemëve të ëmbla pas drekës, mund ta rrisin fermentimin në zorrë dhe stomak, dhe kështu të shkaktojnë fryrje të barkut.
Lëngjet e freskëta duhet t’i pini menjëherë pas përgatitjes. Madje edhe mbajtja afatshkurtër në frigorifer zvogëlon vlerat mjekuese të lëngut, edhe pse shija e tij mund të mbetet e njëjtë.