Prodhimet kosovare që eksportohen për në vendet e BE-së, që nga muaji janar do të jenë më pak konkurrente se që ishin në 10 vjetët e fundit. Në fund të muajit dhjetor të vitit 2010 ka përfunduar Marrëveshja tregtare me BE-në, e cila ka aplikuar masa autonome preferenciale të tregtisë me Kosovën. Prodhimet “Made in Kosova” nuk mund të hyjnë më në tregun evropian pa paguar taksat doganore.
Nevoja për aplikimin e preferencave për prodhimet kosovare qe bërë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për tregti të lirë në mes të Kosovës dhe BE-së. Zyrtarë të Komisionit Evropian thonë se Kosova duhet të plotësojë shumë kushte për të filluar negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë me BE-në.
Zgjatja e preferencës për prodhimet kosovare është bllokuar nga Këshilli Evropian dhe në Parlamentin Evropian, dy organe të BE-së, shkruan sot Koha Ditore.
Flamur Keqa, drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, ka thënë për Kohën Ditore se prodhimet kosovare të destinuara për tregun evropian që nga 1 janari duhet t’u nënshtrohen taksave doganore.
“Marrëveshja tregtare me Bashkimin Evropian që ka aplikuar masat autonome preferenciale të tregtisë me Kosovë, nënkupton që i ka liruar eksportuesit kosovarë nga taksat doganore në rastin e eksportit të prodhimeve të tyre në tregun e BE-së. Këto masa e kanë pasur afatin e skadimit deri ne fund të 2010-s”, ka thënë Keqa.
Ai ka thënë se, sipas kohës masat e njëjta janë miratuar nga Komisionin Evropian, mirëpo që ato të hyjnë në fuqi është dashur të miratoheshin edhe në Këshillin Evropian dhe në Parlamentin Evropian.
“Në këto dy institucione të BE-së miratimi nuk është bërë për shkaqe politike. Sipas informatave, në Këshillin Evropian është thënë se aspekti ekonomik është mirë, por pritet të gjendet një formë dhe të vazhdojnë këto masa preferenciale sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI.
A ka akoma prodhime që nuk i nënshtrohen taksës doganore të vendeve të BE-së, çfarë thonë në Zyrën ndërlidhëse të BE-së dhe kur ka gjasa të nënshkruhet marrëveshja preferenciale me Bashkimin Evropian për eksport të lirë atje.