Kukës,2 shkurt - “Rruga e kombit” e trumbetuar me të madhe nga politikanët e të dyja vendeve për një “bum” në rritje të bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve nuk ka rezultuar të jetë e saktë, përveç “bumit” turistik dhe rehatisë në udhëtim, të paktën për pjesën e Kosovës. Në bazë të të dhënave që ka Dogana e Kukësit, e cila mbulon gjithë aktivitetin e eksport-importeve të Shqipërisë me Kosovën, rezulton se Shqipëria e ka rritur eksportin me Kosovën për vitin 2010 në masën 364.5% krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që Kosova ka shënuar një rënie të vogël për të njëjtën periudhë. Për vitin 2010 në Doganën e Morinit në Kukës janë dhënë gjithsej 9.161 deklarata eksporti, krahasuar me 2.513 deklarata që janë dhënë në vitin 2009. Numri i deklaratave të importit nga Kosova kanë qenë 3.370 deklarata, krahasuar me 3.558 deklarata që janë dhënë në vitin 2009. Çimentoja, mineralet e papërpunuara dhe fruta-perimet janë artikujt që zënë peshën kryesore në vëllimin e eksporteve të Shqipërisë në Kosovë. Ndërsa mielli dhe patatja, por edhe pijet freskuese e energjike janë artikujt që Kosova eksporton në Shqipëri.
Zyrtarë të Doganës së Kukësit pohojnë se fillimi i ndërtimit të autostradës Vermicë-Merdar ka ndikuar në rritjen e vëllimit të eksportit të çimentos, e cila zë peshën kryesore në eksportet e Shqipërisë në drejtim të Kosovës. Për vitin 2010 janë eksportuar në Kosovë 119.683 tonë çimento të Fushë-Krujës, ku rritja e eksportit krahasuar me atë të vitit 2009 ka qenë 5.6 herë më e madhe.
”Cilësia, por edhe çmimi më i ulët ka bërë që çimentoja e Fushë-Krujës të jetë konkurruese në tregun e Kosovës duke e rivalizuar çimenton që prodhohet në Hanin e Elezit”,argumentojnë zyrtarë të Doganës së Kukësit.
Artikuj të tjerë që mbajnë peshën kryesore të eksporteve nga Shqipëria në Kosovë janë edhe mineralet e varfra të hekur-nikelit dhe kromit, të cilat eksportohen dhe më pas pasurohen në fabrikat e Kosovës. Për vitin 2010 janë eksportuar në Kosovë 20643 tonë krom i varfër dhe 15.018 tonë hekur nikel.
Artikujt që Kosova eksporton në Shqipëri janë mielli i grurit dhe patatja, por edhe pijet freskuese dhe energjike, si dhe makineri dhe automjete. Megjithëse numri i deklarimeve të eksporteve nga Kosova në Shqipëri ka shënuar një rënie në vitin 2010, vlera e këtyre eksporteve është në rritje për vitin që sapo lamë pas. Kjo sipas ekspertëve të Doganës ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të artikujve si mielli, patatja etj. Si rezultat i rritjes së referencës së patates së importit nga Qeveria e Shqipërisë, eksporti i patates së Kosovës për vitin 2010, por edhe për muajin e parë të këtij viti është i orientuar më shumë në drejtim të Serbisë, Maqedonisë etj.
Ministria e Financave dhe Dogana Shqiptare kanë rritur në 50 për qind referencat për pataten e importit, duke e çuar në 24 centë për kilogram nga 18 centë që ka qenë më parë. Kjo rritje e bën pataten e Kosovës jokonkurruese në tregun e Shqipërisë.
Për vitin 2010, Kosova ka eksportuar në Shqipëri miell me një vlerë prej 1.2 milionë euro ose 2.5 herë më shumë se vlera e eksportuar në vitin 2009, ndërkohë që vlera e eksportit të patates për vitin 2010 kap vlerën e 740 mijë eurove ose 1.25 herë më shumë se viti 2009.
Vlera e eksportit të pijeve freskuese dhe energjike nga Kosova në Shqipëri ka qenë rreth 260 mijë euro, ose 87 mijë euro më shumë se viti 2009. Ulje në vlerën e eksportit nga Kosova në Shqipëri ka njohur edhe artikulli automjete, ku për vitin 2010 janë eksportuar në Shqipëri automjete me një vlerë prej 264 mijë eurosh ose 25 mijë euro më pak se viti 2009. Ndërkohë që një tjetër artikull që Kosova po eksporton në Shqipëri janë tubat e çelikut të Fabrikës së gypave në Ferizaj. Këto tuba po përdoren kryesisht për hidrocentralet që po ndërtohen në veri të Shqipërisë. Në rajonin e Kukësit, ku përfshihen edhe Tropoja e Hasi, por edhe në zonën e Dibrës dhe atë të Shkodrës janë dhënë një numër i madh licencash për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël që janë të projektuar kryesisht me diga të vogla.
Dy pikat doganore, ajo e Qafë-Prushit që lidh Hasin me Gjakovën, dhe ajo e Qafë-Morinës që lidh Tropojën me Gjakovën, kanë rezultuar të paefektshme nga ana ekonomike, madje ato rezultojnë me humbje, pasi nuk mbulojnë as shpenzimet e personelit dhe shpenzimet e tjera ndihmëse. I gjithë qarkullimi i mallrave nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas realizohet përmes degës së Doganës Morin-Vermicë në zonën midis Kukësit e Prizrenit. Pikat doganore në Qafë-Morin të Tropojës dhe në Qafë-Prush të Hasit, të dyja së bashku kanë realizuar vetëm 2.2% të të ardhurave të përgjithshme që ka realizuar Dogana e Kukësit për vitin 2010. Dega e Doganës së Kukësit për vitin 2010 ka realizuar të ardhura në një vlerë prej 528.3 milionë lekësh, ose rreth 3.8 milionë euro. Këto të ardhura janë realizuar në masën 97.8% në degën e Doganës së Morinit në Kukës, ndërkohë që 1% e kësaj vlere është realizuar në Qafë-Prush dhe 1.2% në Qafë-Morin të Tropojës. Në kufirin Shqipëri-Kosovë me një gjatësi prej 111.8 kilometrash, aktualisht ekzistojnë gjashtë vendkalime kufitare, ku tre prej tyre janë në zonën e Gorës, pikërisht ato në mes Shishtavecit e Krushës ,Orgjostit e Orçushës të hapura në tetor të vitit 2003. Ndërsa vendkalimi Borje-Glloboçicë është hapur në qershor të vitit 2009. Nga pesë vendkalime kufitare, vetëm tri prej tyre janë të miratuara edhe si pika doganore, ku vetëm ajo Morin-Vermicë është e kategorisë së parë, ndërsa pika doganore e Qafë-Prushit në Has dhe e Qafë-Morinës në Tropojë janë të kategorisë së dytë.
Autoritetet vendore të zonë së Dragashit në Kosovë dhe të Shishtavecit në Kukës kanë bërë presion në drejtim të autoriteteve respektive në Kosovë e Shqipëri që edhe vendkalimi kufitar Shishtavec-Krushë të ketë statusin e një dogane. Drejtori rajonal i kufirit dhe i migracionit për rajonin e Kukësit, Agron Baliaj, nuk është përkrahës i idesë së hapjes së vendkalimeve të reja kufitare në kufi me Kosovën, pasi, sipas tij, ato ekzistuese janë të mjaftueshme, sidomos tani me përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Sipas drejtorit të kufirit, nevojë imediate është vetëm hapja e një vendkalimi kufitar me Malin e Zi, pikërisht në Qafë të Vranicës, që do të lidhte Tropojën me Plavën. Ai i konsideron si të tepërta tri vendkalime kufitare në zonën e Gores.