Në Akademinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në Tiranë, të premten, në një ceremoni solemne u bë certifikimi i pesë oficerëve (grada kapiten) të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Ata kanë kryer Kursin themelor për Oficer të Shtabit, i cili ka zgjatur 3 muaj, dhe ishte organizuar kryesisht për oficerë shtabor të Ushtrisë Shqiptare i bazuar në memorandumin e bashkëpunimit që Ministria e Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, të nënshkruar kohë me parë.
Në bazë të këtij memorandumi për bashkëpunim, është hapur rruga oficerëve dhe nënoficerëve të FSK-së, që të pajisen me dije dhe eksperienca të reja, në fusha të ndryshme, në shkollat ushtarake, në Shqipëri.
Në ceremoninë e certifikimit merrnin pjesë; gjenerali i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të Ushtrisë Shqiptare, oficerë të lartë shqiptarë, si dhe një delegacion i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Ceremoninë me pjesëmarrjen e tij, e nderoi ambasadori i Republikës së Kosovës, në Shqipëri, Gazmend Pula.
Folësit në këtë eveniment (gjeneral dhe instruktorë) vlerësuan lartë rezultatet e shkëlqyeshme të 5 pjesëtarëve (kapitenëve) të FSK-së, të cilët treguan suksese shembullore në realizimin e objektivave të këtij kursi, theksohet në një komunikatë të Zyrës për informim të FSK-së.
Në fjalën e rastit që mbajti, ambasadori i Kosovës Gazmend Pula, u shpreh me fjalë miradije për bashkëpunimin dhe për ndihmën që shteti shqiptar po jep në ngritjen dhe në profesionalizmin e Forcës së Sigurisë të Kosovës. Me ndjenjën e krenarisë dhe mirënjohjes për sukseset e kursantëve, ambasadori i Kosovës u shpreh optimist për një bashkëpunim edhe më të avancuar në të ardhmen, në mes të dy shteteve.
Gjithashtu, po të premten, u bë certifikimi edhe i tre nënoficerëve të FSK-së, të cilët ndoqën një kurs të avancuar të nënoficerëve për lidership. Ky kurs ka zgjatur 6 javë.
Edhe në ketë ceremoni morri pjesë delegacioni i FSK-së dhe udhëheqës të lartë nga shkolla e nënoficerëve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të Ushtrisë Shqiptare.