Ëndrra e shumë kosovarëve për ta parë gjigantin kroat në Kosovë, Dinamo Zagreb tashmë do të bëhet realitet. Skuadra më e madhe në Ballkan, do të zhvillojë miqësore me Përzgjedhjen e Raiffeisen Superligës, më 19 shkurt në Prishtinë. Zhvillimin e kësaj ndeshjeje ndërkombëtare e kanë konfirmuar për “Sport”, zyrtarët e Dinamos dhe vetë kreu i FFK-së, Fadil Vokrri.
Zoran Mamiq, njëri nga pronarët e Dinamos, të martën ka deklaruar për gazetën tonë nga Antalia, ku zagrebasit po zhvillojnë fazën përgatitore, se do të nderojnë përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës. “Më 19 shkurt, ne do të vijmë në Prishtinë, për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Përfaqësuesen e Kosovës. Ne jemi të lumtur që ndeshja do të zhvillohet për nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe që do të jemi pjesë e kremtimit të kësaj feste bashkë me kosovarët”, tha Mamiq përmes telefonit. Ai po ashtu ka shtuar se shkaku i orarit të ngjeshur të përgatitjeve të tyre, nuk kanë mundur të caktojnë ndeshjen më 17 shkurt.
Edhe kreu i FFK-së, Fadil Vokrri është shprehur i lumtur që kanë aranzhuar këtë miqësore. Sipas tij, ka mbetur vetëm edhe konfirmimi zyrtar nga Dinamo. “Po, është e vërtetë. Ne kemi arritur marrëveshje gojore me drejtuesit e Dinamos, të cilët më 19 shkurt do të jenë në Prishtinë. Kundërshtari i tyre do të jetë Përzgjedhja e Raiffeisen Superligës”, tha shkurt Vokrri, i cili ndodhet në Francë.
Miqësoren Kosova - Dinamo, të martën mbrëma e kanë konfirmuar edhe mediat kroate, të cilat i referohen zyrtarit për marrëdhënie me publikun të klubit kroat, Tomislav Marçinko. “Lojtarët nga Kosova, në 30 vjetët e fundit kanë qenë pjesë e suksesit dhe titujve të Dinamos. Rol të rëndësishëm kishin Shala, Kozniku dhe tash Beqiraj e Ademi”, ka thënë Marçinko për ‘veçernji.hr’. Ky portal përmend edhe kohën kur Çiro Blazheviq drejtonte Prishtinën në vitet 1986, duke e shpëtuar atë nga rënia në një rang më poshtë të ish-elitës së futbollit të Jugosllavisë.
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, i kontaktuar nga portali kroat ka deklaruar se Dinamon në Prishtinë do ta presin 17 mijë shikues, aq sa zë stadiumi i kryeqytetit. “Jemi të ngazëllyer që Dinamo ka marrë një hap të tillë. Dinamo në Kosovë ka numër të madh të tifozëve dhe nuk dyshoj që stadiumi i Prishtinës, me kapacitet prej 17 mijë ulëseve, do të jetë për plotë”, ka theksuar Salihu.
Dinamo në Prishtinë është dashur të luajë para dy vitesh, po ashtu në ditën e pavarësisë së Kosovës, mirëpo atëherë qeveri kroate, në prag të përgatitjeve të takimit të ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader dhe presidentit serb, Boris Tadiq, është sugjeruar në mënyrë të fshehtë, që ajo ndeshje të anulohet. Ndërkohë, sipas Marçinkos, ata ende nuk janë konsultuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë, në lidhje me udhëtimin në kryeqytetin e Kosovës. Në atë kohë, Dinamo parashihej të zhvillonte ndeshje me Trepçën ’89.