Mitrovicë, 26 shkurt – (E plotësuar) Behgjet Pacolli, president i Kosovës të shtunën ka mësyrë veriun e Mitrovicës në këmbë, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendëshme, Bajram Rexhepi. E tërë kjo ecje në këmbë e të parit të vendit është bërë nën masa të rrepta të sigurisë, nga njësitë më elite të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it. Pas kalimit në cepin verior të urës mbi Ibër, Pacolli e Rexhepi janë drejtuar për të “Tre rrokaqiejt”, të cilët gjinden në rrugën e Suhodollit. Rexhepi tërë rrugës i ka dëftuar Pacollit për veriun, duke njoftuar atë edhe për kafenenë efamshme ‘Dolcevita”. Banorët shqiptarë të zonës ‘Tre rrokaqiejt’ me duartrokitje pritën ardhjen e presidentit Pacolli dhe të ministrit Rexhepi.
Elhame Bala, banore e ‘Tre rrolaqiejeve’, i ka rikujtuar atij se kjo popullate është lënë në mëshirën e fatit dhe “ju jeni njeriu i vetëm, pos Bajram Rexhepit, që na ke vizituar.” Ndërsa Presidenti i sapozgjedhur ii Kosovës, Behgjet Pacolli, iu ka premtuar banorëve të veriut të Mitrovicës se do t’i luftojmë grupet kriminale në këtë pjesë të vendit. Ai ka thënë se qytetarët e kësaj pjese të Mitrovicës do të ndihen qytetarë të Republikës së Kosovës e kurrsesi ndryshe. Derisa Pacolli po ecte në rrugët e veriut të Mitrovicës, qytetarë serbë të hutuar vëzhgonin për skaj rruge, ndërsa që disa të tjerë shisnin pemë e perime, pa vënë veshin se kush po kalonte andejpari.
Në momentet kur i pari i vendit po bisedonte me banorët e ‘Tre rrokaqiejve’, dikush nga hyrja e komunës së UNMIK-ut brohoriti “Serbija!”.
Presidenti Pacolli ka vizituar edhe shtëpinë e ministrit Rexhepi, që ndodhet në Suhadoll, me të cilin kanë biseduar pa praninë e medieve, ndërkohë që pas këtij takimi ata janë prononcuar para gazetarëve.
„Për mua nuk ekziston termi veri apo jug, ekziston si term gjeografik dhe jo politik e administrativ“, ka thënë Pacolli. Ishim në këtë anë t’i kontaktojmë banorët, pa marrë parasysh cilës kombësi apo fe i përkasin, t’u tregojmë se janë pjesë përbërëse e Kosovës, janë qytetarë të Kosovës, të ndihen mirë dhe të themi se edhe në këtë anë mbretëron ligji, dhe jam përkushtuar që t’ua përmirësojmë jetën edhe këtyre qytetarëve në këtë anë”, ka thënë i pari i vendit. Pacolli në një moment ka ngatërruar postin e ministrit Rexhepin, duke e quajtur atë ministër të Mbrojtjes. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në shtëpinë e tij në Suhodoll, ka theksuar se ”Me një punë të përbashkët krejt territori i Kosovës do të jetë unik, ku do të vlejnë ligjet e Kosovës“. Ky është një proces, ku me një përkushtim dhe ide që edhe presidenti i ka shpalosur dje, në një bisedim të përbashkët, këto janë dy çështje, në rend të parë sundimi i rendit dhe ligjit, dhe zhvillimi ekonomik, ka sqaruar Rexhepi. Sipas tij këto do të jenë si synime strategjike në të ardhmen, që të bëhet integrimi i mirëfilltë edhe i qytetarëve, jo vetëm integrimi administrativ”.
Ndërsa sa u përket bisedimeve Kosovë –Serbi, dhe se a do të jetë veriu pjesë e Bisedimeve, Pacolli ka theksuar se grupi i bisedimeve është në përgatitje e sipër dhe ata kanë agjendën e vet, e cila është e mbështetur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, qeveria e Kosovës dhe Presidenca.
Rreth mënyrës se si do të luftojë krimin e organizuar në veri ai ka theksuar se “Unë po ju premtoj se në këtë mandat pesëvjeçar, bashkë me njerëzit e Qeverisë së Kosovës, me njerëzit e Kosovës dhe që ia duan të mirën Kosovës, edhe në këtë anë do ta kthejmë rendin dhe ligjin. Ligji do të jetë mbi të gjithë dhe qytetarët e kësaj pjese do të ndihen si në pjesë plotësisht përbërëse të Kosovës”, tha Pacolli, duke premtuar se edhe shumë herë do ta kalojë këtë urë. Sepse qytetarët e kësaj ane e meritojnë që institucionet e vendit të jenë pjesë e halleve të tyre këtu.
Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli duket ia ka kthyer shpinën mikut të tij, diktatorit libian, Muhamer Gadafit, duke theksuar para gazetarëve se “përkrahi popullin libian”.