Prishtinë, 1 prill 2011 (23.45)
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi duhet të presë deri të hënën që të marrë detyrën e presidentit të Kosovës, për shkak se ceremonia e dorëzim-detyrës nuk do të mbahet nesër me kërkesë të presidentit të deritanishëm Behgjet Pacollit.
Në njoftimin e Presidencës së Kosovës dërguar medieve pak para mesnatës së ditës së premte thuhet se me kërkesë të presidentit të deritashëm, Behgjet Pacolli, për shkaqe objektive, dorëzim-pranimi i detyrës së presidentit nuk do të bëhet ditën e shtunë, datë 2 prill, siç ishte planifikuar, por të hënën, në ora 10.00, në kabinetin e presidentit.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit të vendit ka qenë jo-kushtetues, Jakup Krasniqi do ta marrë për herë të dytë postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese sot ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jo kushtetuese. Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe Behgjet Pacolli, Gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars.
Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai. Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional, njoftojnë mediat.
Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në sallë, në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata është përgjigjur:
“…Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë Aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së Kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo do të jetë hera e dytë që kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi do ta ushtrojë detyrën e presidentit të vendit. Herën e parë e kishte marrë këtë funksion pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai kishte shkelur Kushtetutën, duke mbajtur dy poste njëkohësisht, atë të presidentit dhe kryetarit të LDK-së.