Kontesti i emrit shtyhet për në 2011 Janë shtuar zërat qeveritare në Maqedoni për prolongimin e zgjidhjes së kontestit të emrit dhe se sinjale të tilla kanë ardhur edhe nga Athina, e cila po përballet me kaos total financiar dhe krizë të thellë ekonomike. Por edhe tensionet e fundit në Maqedoni kanë prolonguar çfarëdo zgjidhje që pritet të jetë gjatë këtij qershori apo deri në fund të këtij viti.Deri sa afati i qershori po afrohet, pala maqedonase po mendon ta përdorë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) si alibi të radhës për shtyrjen e këtij procesi edhe për disa vite.
Siç mëson agjencia e lajmeve INA Shkupi zyrtarë planifikon të presë vendimin e GJND-së për kontestin e emrit, dhe pastaj të thellojë negociatat për arritjen e zgjidhjes përfundimtare.
Ky akt është nxitur edhe nga disa deklarata të analistëve të huaj, të cilët i sugjerojnë Shkupit që të pres vendimin e GJND-së.
Ndërmjetësuesi i parë në kontestin midis Greqisë dhe Maqedonisë rreth emrit, Robin O`Nil, këshilloi Maqedoninë që ta presë vendimmarrjen e Gjykatës Ndërkombëtare dhe të shohë çka do të përmbajë ky vendim.
O`Nil është një lobues dhe një person i angazhuar nga kabineti i kryeministrit, me qëllim të krijimit të opinionit rreth kësaj çështje. Zëdhënësi i Qeverisë, Martin Martinovski nuk ka komentuar pohime të tilla që vijnë nga kuluare gazetareske.
Ministri i Jashtëm, Antonio Milososki ka shprehur pesimizëm lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit gjatë këtij viti, duke nënvizuar se për hapjen e negociatave do të duhej një presidencë me përzemërsi më të veçantë dhe njohje më të mirë të zhvillimeve në rajon, duke aluduar në presidencën hungareze dhe polake gjatë vitit të ardhshëm.
Në Qeveri nuk konfirmojnë si çështje të kryer deklaratën e ministrit të jashtëm, Antonio Milososki.
Derisa në BDI theksojnë se zgjidhja e kontestit të emrit është një çështje që kërkon bashkërendim të aktiviteteve me bashkësinë ndërkombëtare dhe duhet përgjegjësi më e lartë nga të dyja palët për zgjidhjen e kontestit të emrit, në Demokracinë e Re (DR) japin vlerësime shqetësuese.
“Ne konsiderojmë se deklarata për prolongimin e afatit për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2011 nga ana e Ministrit të jashtëm të Qeverisë së Maqedonisë Antonio Milosovski ndjell pesimizëm dhe joperspektivë te qytetarët dhe vërteton qëndrimin e DR-së se kjo Qeveri nuk e ka prioritet integrimin euro-atlantik të vendit dhe nuk punon në këtë drejtim”, ka theksuar Sulejman Rushiti nga DR-ja.