Organizimi i një procesi të ri zgjedhor, që do të vinte në shprehje nëse deputetët e Kuvendit nuk e zgjedhin presidentin e vendit, do të ishte një “vetëvrasje” për Kosovën.
Kështu mendojnë drejtuesit e partive politike në vend, anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe analistët e pavarur, të cilët theksojnë se prioritet i vendit nuk janë zgjedhjet por ndryshimi i Ligjit zgjedhor dhe ndërrimi i disa neneve të Kushtetutës, shkruan Zëri.
Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, thotë se do të duhej që të arrihet një marrëveshje kalimtare mes partive politike dhe jo të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, por sipas tij, asnjë marrëveshje nuk nënkupton koalicion të LDK-së me PDK-në
“Ne si LDK mendojmë se duhet të arrihet një marrëveshje kalimtare. LDK-ja, çka është edhe më kryesorja për çdo variant është e gatshme, në kuptimin edhe të asaj që jemi të gatshëm po qe se ndodh të shkojmë edhe në zgjedhje”, thotë Beqiri.
Edhe drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shprehen të sigurt se vendi nuk është i gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kosova nuk është e gatshme për zgjedhje, mirëpo iu takon partive që janë në koalicion që të mendojnë për këtë çështje shumë më shumë sesa partitë opozitare. Nuk është në interes të Kosovës që të ketë zgjedhje. Zgjedhje duhet të ketë sa më shpejt që është e mundur, por pasi që të bëhen modifikime në sistemin zgjedhor”, thotë anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi.
Anëtari i KQZ-së, Fadil Maloku, shprehet në favor të një konsensusi mes partive politike dhe “ikjes” nga organizimi i zgjedhjeve, pavarësisht se, sipas tij, KQZ-ja është e gatshme çdoherë brenda dyzet e pesë ditëve, sa parashihen me Kushtetutë, t’i organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Duhet të konsolidohen institucionet. Kosova mund të futet në zgjedhje të reja, por nëse futet, do të ndodhë ajo që ka ndodhur më parë”, thotë përfaqësuesi i AKR-së në KQZ, Fadil Maloku.
Ndërsa analisti Mazllum Baraliu thotë se partitë politike duhet të ulen “kokë më kokë” dhe të gjejnë një konsensus për të votuar presidentin e vendit, pavarësisht se kush është ai. Kjo, sipas tij, është njëra nga arsyet pse ekzistojnë partitë politike.
“Do të duhej të ketë një mirëkuptim dhe një konsensus. Nëse kjo nuk arrihet, unë nuk di pse ekzistojnë partitë politike në Kuvend dhe pse ekziston ai Kuvend”, thotë Barali