Fishekët nuk i kishte kursyer të enjten personi që prezantohet si truprojë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Me armën e tij zyrtare, që i është lëshuar për ta mbrojtur zëvendëskryeministrin Kuçi, Xhevat Krasniqi ka shtënë në drejtim të Shaip Morinës, të cilit ia kishte 50 mijë euro borxh. Nga të shtënat Morina ka pësuar një plagë në krahun e majtë.
Duarkryq nuk kishte ndenjur as Morina, pronar i një firme ndërtimore të quajtur “IPA”. Edhe ai kishte shtënë në drejtim të Krasniqit, duke i shkaktuar edhe atij një plagë në krahun e majtë. Konfliktin e tyre për borxh këta dy persona kanë provuar ta zgjidhnin me armë zjarri të enjten, rreth orës 22:00 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në një hapësirë të banuar e të rrethuar nga shumë njerëz e kafene.
Të premten, Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për incidentin pa dhënë detaje për identitetin e të dyshuarve e as për motivin e këtij konflikti. Madje, nuk i kanë përmendur fare paratë që truproja Xhevat Krasniqi i kishte pasur Shaip Morinës. Sipas kësaj komunikate, dy persona janë arrestuar nën dyshimin për vepër penale të vrasjes në tentativë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
“Hetuesit rajonalë lidhur me rastin në fjalë kanë gjetur dhe konfiskuar dy revole, gjithashtu për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes hetuesit kanë konfiskuar dhe dërguar për ekzaminim edhe dy automjete, njëra prej të cilave ka qenë e dëmtuar nga plumbi”, ka thënë policia nëpërmjet kësaj komunikate, pa sqaruar se njëra prej tyre është armë zyrtare.
Mirëpo, bazuar në kallëzimin penal dhe në propozimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit, sqarohet se Xhevat Krasniqi (1969) është nga fshati Tërpezë i Malishevës, i punësuar si truprojë e zëvendëskryeministrit, por nuk sqarohet se e cilit zëvendëskryeministër. Shaip Morina (1959) është nga fshati Samadrexhë i komunës së Suharekës dhe pronar i firmës ndërtimore “IPA”. Sipas burimeve të Kohës Ditore, Krasniqi ka lidhje familjare me ish-ministrin Fatmir Limaj, derisa në momentin e konfliktit aty ndodhej edhe një i afërm tjetër i Limajt, Hamëz Limaj.
Në kallëzim penal përshkruhet se të enjten rreth orës 22:00 në rrugën “28 Nëntori” në lagjen “Dardania” në Prishtinë ka shkuar Shaip Morina së bashku më një shok të tij të quajtur Sabri Zabërgja në kafenenë “Intermexo”. Por para se të hynin në këtë kafe, ata ishin takuar me Xhevat Krasniqin, i cili shoqërohej nga vëllai i tij Lulëzimi dhe daja Hamëz Limaj. Sipas kallëzimit penal të hartuar nga tre hetues policorë, Xhevati, Shaipi dhe Sabriu ishin ulur në një tavolinë dhe Lulzimi e Hamëza ne një tjetër. Pasi kishin filluar të bisedonin rreth një borxhi prej 50 mijë eurosh që Xhevat Krasniqi i kishte Shaip Morinës, diskutimi kishte filluar të acarohej dhe për pasojë borxhliu e kishte goditur me një shuplakë Shaip Morinën dhe i kishte drejtuar revolen në fytyrë në prani edhe të personave të tjerë në mes të kafes. Policia shpjegon se eskalimi i mëtejmë ishte shmangur pas ndërhyrjes së Sabriut, Lulzimit dhe Hamzës.
“I dyshuari Shaip (Morina v.j.) së bashku me shokun e tij Sabri (Zabërgja (v.j.) kanë dalë jashtë lokalit dhe kanë shkuar në veturën tipit ‘Seat Altea’ ngjyrë e bardhë me targa UNOPS 032 (Zyra e Kombeve të Bashkuara për projekte dhe shërbime (v.j.) dhe janë nisur të largohen. Në momentin e nisjes një veturë ishte e ndaluar duke i detyruar të presin lirimin e rrugës. Në atë moment tek vetura e tyre ka shkuar i dyshuari Xhevat Krasniqi dhe ka filluar të gjuajë me armë zjarri në të dyja anët, duke u plagosur të dytë në duart e majta”, sqarohen rrethanat e ngjarjes bazuar në intervistat e të pandehurve dhe të dëshmitarëve.
“Pas kësaj i dyshuari Shaip Morina, i cili ka qenë i ulur në ulësen e përparme së bashku me Sabri Zabërgjën që ishte drejtues i veturës janë larguar nga aty. I dyshuari Xhevat Krasniqi edhe pas kësaj ka shtënë disa herë me armë në drejtim të veturës ‘Seat’ duke e goditur dhe duke i shkaktuar dëmtime si në xhama ashtu edhe pjesë tjera”, thuhet më tej në kallëzim.
Të dyshuarit që tashmë kishin që dy plagë ishin dërguar nga shoqëruesit e tyre në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor. Sipas kallëzimit pa hyrë në Klinikën Emergjente, i dyshuari Shaip Morina kishte hedhur revolen në oborrin e QKUK-së dhe revolja ishte gjetur pak më vonë nga Policia. Për gjithë ngjarjen ishte njoftuar edhe prokurori i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, Lulzim Sylejmani, i cili kishte dalë në vendin e ngjarjes. Policia kishte ekzaminuar vendin e ngjarjes ku kishte gjetur dhe konfiskuar dëshmi materiale si gëzhoja të dy kalibrave të armëve që dyshohet të jenë përdorur gjatë konfliktit. Policia ka konfiskuar edhe dy vetura, ajo e UNOPS-it dhe një BMW e zezë, me të cilën ishte transportuar i pandehuri Xhevat Krasniqi. Në këtë veturë policia kishte gjetur dhe konfiskuar edhe armën zyrtare të truprojës. Të dyshuarve u është marrë mostra e parafinës për caktimin e pranisë së barutit në duar dhe është dërguar për ekzaminim në Laboratorin Kriminalistik.
Prokurori beson se me këtë akt Xhevat Krasniqi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, mbajtje në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të paautorizuar të armës dhe dëmtim të pasurisë së luajtshme. Ndërsa Shaip Morina sipas prokurorit ka kryer dy vepra penale, të vrasjes së rëndë në tentativë dhe mbajtje në pronësi, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës.
Të premten pasdite Qeveria e Kosovës ka lëshuar një sqarim duke thënë se Xhevat Krasniqi është shofer i Qeverisë, por jo truprojë e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.
“Për hir të opinionit publik ju njoftojmë se punonjësi i Qeverisë, Xh. Krasniqi, i përmendur në artikullin e dy mediave elektronike, ‘Plagoset truproja e Hajredin Kuçit’ është i pasaktë. E ndiejmë të nevojshme të sqarojmë se z. Xh. Krasniqi është vozitës në Qeverinë e Kosovës”, thuhet në këtë sqarim.
Sipas Qeverisë, Xhevat Krasniqi nuk ka qenë dhe nuk është në detyrën e bodigardit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
“Gjithashtu duam të sqarojmë se problematika e prezantuar në opinion publik është e karakterit personal”, ka thënë Qeveria.
Legjenda: Pjesë e dokumentit (kallëzim penal) për rastin e Xhevat Krasniqit dhe të Shaip Morinës