Prishtinë, 24 prill – Përmbyllja e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë ka ringjallur shpresën për ndryshime në disa vendbanime, të cilat prej vitesh pretendojnë të ngrihen në njësi komunale. Ambicien për t’u shndërruar në komunë në mënyrë institucionale e kanë shprehur shtatë lokalitete nga rajone të ndryshme të vendit, përfaqësues të të cilave janë të bindur se ato i plotësojnë kriteret e domosdoshme për të pasur administratë lokale, në saje të decentralizimit parimor dhe jo mbi baza etnike.
Mirëpo, zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal kanë bërë të ditur se shqyrtimi i këtyre kërkesave sipas dispozitave aktuale ligjore bazohet në limite kohore, të cilat duhen respektuar.
Zëdhënësja e MAPL-së, Lumnije Demi, ka konfirmuar për gazetën Koha Ditore se ky dikaster qeveritar deri më tani ka pranuar shtatë kërkesa nga fshatra të ndryshme, që pretendojnë të bëhen komuna.
“Fshatrat të cilat kanë paraqitur kërkesë në MAPL për t’u bërë komuna janë: Rogova, Hogoshti, Reçani, Zymi, Runiku, Orllani dhe Zhegra”, ka thënë Demi.
Ajo ka sqaruar se çështja e organizimit territorial të vetëqeverisjes lokale të Republikës së Kosovës, në kuadër të së cilës hyn edhe formimi i komunave të reja dhe përcaktimi i territorit dhe i kufijve komunalë rregullohet me Ligjin për kufijtë administrativë, i cili përcakton kriteret që duhen plotësuar në mënyrë që të mundësohet rritja e numrit të komunave të Kosovës.
“Themelimi i komunave të reja, bashkimi, ndarja, ndryshimi i kufijve administrativë të komunës dhe caktimi i emrit apo selisë së komunës bëhen me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji”, ka theksuar Demi, duke shtuar se për këtë është e nevojshme edhe konsultimi me qytetarët e komunave ose pjesëve të komunave që preken nga ndryshimet.
Megjithatë ajo ka rikujtuar se rishikimi i këtij ligji mund të bëhet vetëm gjashtë muaj pas shpalljes së rezultateve të regjistrimit të popullsisë.
“Gjashtë muaj pas regjistrimit të popullsisë së Republikës së Kosovës mund të bëhet një rishikim i dispozitave të këtij ligji në kuptim të përfshirjes së kufijve të komunave të reja, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e komunave ekzistuese”, ka cituar Demi nenin 17 të ligjit përkatës.
Ky qëndrim është mbështetur edhe nga Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit, dokument ky që përmban një aneks të veçantë sa i përket decentralizimit në Kosovë.
“Çfarëdo propozimi për ndryshimin e kufijve komunalë duhet të jetë në pajtueshmëri me ligjin dhe i bazuar në rezultatet finale të regjistrimit të popullsisë, të cilat nuk priten të shpallen deri në vitin e ardhshëm”, ka thënë zëdhënësi i ICO-së, Andy Mcguffie, duke përsëritur mbështetjen për MAPL-në.
Nismat për komunë, të kamotshme
Kufizimi kohor i përcaktuar me ligj nuk i ka shqetësuar shumë përfaqësuesit e vendbanimeve që mëtojnë të kenë seli të komunës në fshatrat e tyre, ngase kanë kaluar vite që prej se ata kanë aplikuar në MAPL. Kryetari i fshatit Orllan të Podujevës, Nuhi Selimi, ka shpjeguar se nisma për krijimin e komunës është iniciuar në vitin 2001 pas zgjedhjeve të para parlamentare në Kosovë. Sipas tij politizimi i mëvonshëm i decentralizimit ka bërë që përfaqësuesit e këtij vendbanimi të zmbrapsen, meqë nuk kanë dëshiruar që nisma e tyre të “ecë paralel me decentralizimin mbi vijat etnike, që është zbatuar në lokalitetet serbe”.
“Ne jemi për aplikimin e decentralizimit në konsulta me institucionet e Kosovës. Do të presim derisa të stabilizohet pushteti dhe besoj që do të fillojmë bisedat në këtë drejtim”, ka thënë Selimi.
Ai ka shprehur bindjen se në bazë të parimeve evropiane të decentralizimit Orllani me fshatrat përreth, si zonë turistike, i plotëson kriteret për të qenë komunë, ngase bëhet fjalë për një territor me mbi dy mijë banorë, që janë në distancë të konsiderueshme nga Podujeva e Prishtina.
Ndërsa deputeti boshnjak nga rajoni i Zhupës, Rasim Demiri, ka theksuar se Reçana me 16 fshatra dhe me mbi 15 mijë banorë i përmbush të gjitha kriteret e përshkruara në Pakon e Ahtisaarit për të qenë komunë. Sipas tij, prioritet ka qenë përmbyllja e procesit të regjistrimit të popullsisë, pas së cilës do të nisë zbatimi praktik i decentralizimit.
“Nisma për formimin e komunës së Reçanës është e hershme dhe ne këtë çështje e kemi ngritur para zyrtarëve dhe institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës. Ne do ta riaktualizojmë sërish për të parë se deri ku kemi mbërritur”, ka thënë Demiri, i cili si prioritet tjetër ka përmendur edhe themelimin e komunës së Vitomiricës dhe të Gorës pas analizave të duhura.
Për dallim prej tyre hogoshtasit në disa raste kanë kërkuar rikthimin e statusit të komunës, të cilin ky vendbanim e ka gëzuar deri në vitin 1959. Shkresat e banorëve të kësaj ane janë dorëzuar më 2004, 2007, 2009 e 2010, në mesin të cilave ka gjetur vend edhe një peticion me pesë mijë nënshkrime. Ndërkaq përfaqësuesit e Zhegrës kishin intensifikuar përpjekjet e tyre për themelimin e komunës, veçanërisht pas formimit të Komunës së Parteshit, meqë konsiderojnë se territorialisht janë të izoluar nga Komuna e Gjilanit.
Serbët e veriut të joshen nga praktikat e decentralizimit në jug
Pos Parteshit, statusin e komunës pas pavarësimit të Kosovës e patën fituar edhe Graçanica, Kllokoti e Rranillugu, derisa ajo e Novobërdës ishte zgjeruar me territor, sipas propozimit të ish-ndërmjetësit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari. Pakoja e ish-presidentit finlandez parashihte themelimin “e një sistemi të avancuar dhe të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë për trajtimin e shqetësimeve legjitime të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera që nuk përbëjnë shumicë, për të inkurajuar dhe siguruar pjesëmarrje aktive në jetën publike dhe për të fuqizuar qeverisjen e mirë dhe efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve publike anembanë Kosovës”. Derisa pjesë të këtij plani janë zbatuar në pjesën jugore të Kosovës, i njëjti ende nuk është jetësuar në veri të vendit, ku parashihet formimi i komunës së Mitrovicës së veriut.
Përderisa shtatë lokalitetet që kanë aplikuar në MAPL me çdo kusht e dëshirojnë statusin e komunës, një gjë të tillë me ngulm e refuzojnë serbët e veriut.
Javë më parë, në kuadër të takimit të rregullt të Grupit Ndërministror për Decentralizimin, shefi i ICO-së, Pieter Feith, pati ftuar serbët e veriut që të joshen nga shembujt e decentralizimin në jug të Kosovës, edhe pse kishte theksuar se ka ende punë për t’u bërë.
“Nëse ne dëshirojmë që t’i bindim qytetarët në veri se decentralizimi është një propozim tërheqës, atëherë mënyra më e mirë është që t’i tregojmë arritjet e decentralizimit të suksesshëm në jug të lumit Ibër, si një model tërheqës i Kosovës moderne. Pra, ka akoma punë për t’u bërë. Ne duhet të sigurojmë bartjen e plotë të kompetencave nga Qeveria qendrore në nivelet lokale, ne duhet të sigurohemi se burimet e mjaftueshme janë në dispozicion për komunat e reja dhe duhet t’i informojmë qytetarët në veri për rëndësinë dhe përfitimet e decentralizimit si një vlerë e Evropës”, pati thënë Feith.
Ndërkaq zëvendëskryeministri dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Slobodan Petroviq, pati pohuar se për decentralizimin në veri duhet fokusuar në plane konkrete.
Zëdhënësi i ICO-së, Andy Mcguffie, ka përsëritur se Zyra Civile Ndërkombëtare po bashkëpunon me ekzekutivin e vendit për zbatimin e decentralizimit edhe në veri. “Sa i përket komunës Mitrovica e veriut, ne po punojmë ngushtë me Qeverinë për zbatimin e mëtutjeshëm të decentralizimit përmes punës së ekipit përgatitor komunal, i cili po punon në kompletimin e përgatitjeve teknike për krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut. Ka pasur progres dhe në fakt Qeveria e Kosovës i është qasur njerëzve që jetojnë atje në mënyra të ndryshme, duke krijuar edhe Qendrën për Regjistrim Civil në veri, që ofron shërbime për qytetarët në veri të Kosovës, duke dëshmuar se Qeveria ka në qendër interesin e tyre”, është shprehur Mcguffie. Ai ka vlerësuar se kjo qasje do të ketë sukses në planin afatgjatë, gjë që do të mbështetet nga ICO-ja, edhe pse ekzekutivi vendor ka rol udhëheqës në këtë rrafsh.
Vazhdimi i decentralizimit pas një analize të hollësishme
Pavarësisht nga sfidat e decentralizimit në veri, udhëheqësit e vendbanimeve të tjera të Kosovës që kanë shprehur ambiciet për t’u shndërruar në komuna besojnë se i plotësojnë kriteret e duhura gjeografike, demografike e ekonomike, derisa aspekti etnik sipas tyre nuk është në agjendë.
Ish-ministri i MAPL-së, Sadri Ferati, duke vlerësuar nismën e këtyre shtatë lokaliteteve të sipërpërmendura ka theksuar se është e nevojshme që të bëhet një analizë e hollësishme lidhur me nevojën e krijimit të komunave të reja në Kosovë.
“Një vlerësim i tillë deri tani nuk është bërë”, ka thënë Ferati. Sipas tij, Pakoja e Ahtisaarit në mënyrë të qartë e përshkruan se procesi i decentralizimit në Kosovë mund të shqyrtohet pas një periudhe të caktuar kohore dhe se mund të shkohet me ndryshime aty ku shihet se kjo është e nevojshme. “Por kjo nuk nënkupton me automatizëm se duhen krijuar komunat e reja”, ka deklaruar ish-ministri.
Ferati ka pohuar se Kushtetuta dhe ligjet e vendit e kanë lënë të hapur mundësinë për krijimin e komunave të reja, porse paraprakisht duhet shikuar nëse lokalitetet e caktuara i plotësojnë kriteret gjeografike, demografike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe se vetëm pas këtyre analizave mund të merren hapat e mëtutjeshëm. “Analiza është e domosdoshme, pasi nuk duhet shkuar në decentralizim me çdo kusht. Por cilido vendim që merret duhet të jetë brenda parimeve të caktuara dhe të vlerësohet se a është e arsyeshme apo jo”, ka deklaruar Ferati.