Një artikull i botuar në gazetën më prestigjioze gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ndër të rrallat shkrime pozitive muajve të fundit lidhur me zhvillimet në Kosovë, shtjellon aspektet pozitive të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj.
Artikulli është shkruar nga njëri ndër gazetarët më të famshëm të Gjermanisë, Dirk Schumer gjatë vizitës së tij në Prishtinë përkatësisht në ISPE, institucion i arsimit të lartë i cili është në bashkëpunim me Universitetin e Bremenit në Gjermani, institucion të cilin autori e vlerëson si një projekt pozitiv për zhvillimet e Kosovës drejt bashkimit evropian dhe mundësi e shkëlqyeshme për të rinjtë e Kosovës që të ndërtohen si kapacitete të reja për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Ky artikull i botuar në edicionin special të fundjavës “Bilder und Zeiten” - Feuilleton të gazetës FAZ, ndër të tjera thekson se Kosova si njëri nga vendet më të reja në botë, është një vend mjaft dinamik i dominuar nga një mesatare e re e popullsisë.
Me të ardhurat mesatare më to vogla kosovarët cilësohen të jenë evropianët më të varfër dhe autori thekson se sipas statistikave deri në 30% të popullsisë së Kosovës jetojnë ose punojnë në shtete të huaja evropiane si në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Edhe pse me probleme ekonomike të mëdha Kosova vlerësohet nga autori të jetë si një vend mjaft dinamik dhe e vlerëson atë si një vend potencial për investime të cilat investime do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit.
Problemet me të cilat ballafaqohet Kosova sot janë edhe mungesa e librave kadastrale të cilat ishin konfiskuar gjatë luftës nga forcat serbe edhe sot e asaj dite këto libra nuk janë kthyer në Kosovë. Si një vend mjaft atraktiv për investime autori nënvizon edhe nevojën e njohjes nga pesë vendet e BE-së (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro) të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe bën thirrje për trajtim të barabartë të Kosovës me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.
Autori hamendëson nëse do të mund të themelohej në Kosovë një rend multikulturor dhe evropian duke marr parasysh ligjëratën e ambasadorit zviceran në Kosovë Lukas Beglinger para Studentëve Evropian të Kosovës në ISPE, i cili deklaroi se Zvicra si një vend me katër gjuhë dhe me diversitet të religjionit do të mund të shërbente si model i bashkëjetesës multietnike për Kosovën.
Mirëpo autori këtë e konsideron si një utopi për arsye se edhe vetë flamuri i Kosovës i cili ka gjashtë yje të cilat përfaqësojnë gjashtë popujt që jetojnë në Kosovë, nuk do të mund të jetonin së bashku për arsye se jetesa është e pamundur me serbët, për arsye se ata e kanë rrethuar veten e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës.
Mirëpo zotëri Jakup Krasniqi, personaliteti i të cilit në këtë artikull vlerësohet lartë si një politikan i butë dhe pragmatik, thekson se Kosovës duke i munguar sovraniteti i mirëfilltë është duke ndikuar poashtu edhe në zhvillimin e mirëfilltë të demokracisë në vend. Në këtë aspekt zotëri Krasniqi nënvizon mungesën e raporteve kontraktuale me Bashkimin Evropian.
Përkundër problemeve të shumta Krasniqi është mjaft optimist për të ardhmen e vendit, edhe pse dhjetë vite i kishte kaluar në burgjet e ish regjimit Jugosllav si i burgosur politik. Në artikull personaliteti i zotëri Jakup Krasniqit vlerësohet si personaliteti i duhur për ta drejtuar vendin mirëpo zotëri Krasniqi nuk e kishte përkrahjen e shefit të partisë së tij, vlerëson autori i artikullit Dirk Schumer.
Në këtë shkrim poashtu citohet edhe Avni Mazreku drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Evropiane – ISPE në Prishtinë i cili thotë se “është në duart tona nëse Kosova mund të jetë një model i një shteti të suksesshëm apo e kundërta, por së pari nevojitet një shtet i sundimit të ligjit, që shteti mund të qëndrojë në këmbët e veta”. /Telegrafi/