Pothuaj asnjëri nga misionet e shumta ndërkombëtare të vendosura
në Kosovë që nga viti 1999-ta, sipas analistëve, nuk ka arritur të
përmbushë deri në fund mandatin. Është i vetmi KFOR-i, i cili, sipas
sondazheve, gëzon të njëjtin reputacion edhe te qytetarët, ndërsa
misionet tjera marrin kritika - tashmë edhe nga institucionet.Në
fillim mirëpriten, e më vonë kërkohet largimi i tyre. Kështu po ndodh
me misionet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat po marrin kritika se nuk
po e përmbushin mandatin e tyre.
Nga një mori misionesh, si UNMIK-u, OSBE-ja, EULEX-i, ICO-ja, është
vetëm KFOR-i, me punën e të cilit edhe institucionet, edhe qytetarët
shprehen ende të kënaqur.
Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICO), Naim Rashiti, thotë
se misionet ndërkombëtare lehtë vendosen, e vështirë largohen, duke
marrë për shembull rastin e Qipros, ku për më se 30 vjet vazhdon të jetë
e pranishme OKB-ja, raporton Radio Evropa e Lirë.
“UNMIK-u mbetet në lojë për shkak të Rezolutës 1244 dhe nuk i shërben
as OKB-së e as Kosovës, por as atyre që janë pro Rezolutës 1244. Kemi
angazhimin e EULEX-it, nën ombrellën e 1244-shit, e kjo më së shumti e
ka dëmtuar pozicionin e EULEX-it. Ai do të kishte pozicion më ndryshe po
qe se do të ishte në kuadër të Pakos së Ahtisaarit”, thotë Rashiti.
Me gjithë praninë e madhe të misioneve ndërkombëtare, Kosovës ende i
cenohet sovraniteti nga Serbia, e cila kontrollon veriun përmes
strukturave të saj paralele.
Ky fakt pranohet nga ndërkombëtarët, të cilët, duke nisur nga UNMIK-u
e deri te ICO-ja, kanë dalë me plane të ndryshme për integrimin e kësaj
pjese - plane këto që gjatë tërë kohës kanë mbetur vetëm në letër.
“Ne e dimë dhe pajtohemi se veriu është çështje e ndjeshme, kryesisht
kur bëhet fjalë për Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, e cila punon me
gjykatës e prokurorë të EULEX-it. Do të dëshironim t’i shihnim
gjykatësit vendorë atje, por kjo është një çështje që duhet të zgjidhet
në ndonjë nivel politik”, ka thënë për Evropën e Lirë, zëdhënësja e
EULEX-it, Irina Gudelevic.
Kërkimi i një marrëveshjeje politike mes Prishtinës, Beogradit e
Brukselit për kthimin e rendit e ligjit në veri, ka shënuar përplasjen e
parë mes Qeverisë e EULEX-it.
Zyrtarë të Qeverisë e kanë parë këtë si tentativë për të shkelur
sovranitetin e vendit. Më i ashpri ka qenë ministri i Punëve të
Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se nuk ka dobi nga EULEX-i,
çfarë ka nxitur reagimin e misionit evropian.
Lëvizja Vetëvendosje, një kritike e ashpër e misioneve ndërkombëtare,
thotë se mungesa e suksesit rrjedh nga shpërfillja që këto misione u
bëjnë kërkesave të popullit.
Për shkak të problemeve politike, edhe kritikët më të mëdhenj thonë
se Kosova ka nevojë për misionet ndërkombëtare, por punën më të madhe
duhet ta kryejë vetë.
Në anën tjetër, me gjithë ndihmat e mëdha të derdhura nga BE-ja dhe
shtetet e tjera perëndimore në kuadër të misioneve ndërkombëtare,
përgjatë 12 vjetëve, papunësia e varfëria në Kosovë mbesin më të lartat
në Evropë. Integrimi i Kosovës në BE apo hyrja në OKB vazhdojnë të duken
të largëta. /Telegrafi/