Produktet e sotme mund t’ju vijnë në ndihmë për t’i zgjidhur problemet e vogla të thonjve, sidomos të atyre të brishtëve që tentojnë të thyhen.
Në manikyr gjenden substanca që e forcojnë strukturën delikate të thonjve, si aminoacide vegjetale apo hidrolizues vegjetalë.
Prandaj thonjtë, përveçse duken të bukur estetikisht, duke u lyer me manikyr, mbrohen edhe nga agjentët e jashtëm.
Manikyr i kuq i ndezur
Manikyr i kuq i ndezur, kjo ngjyrë këshillohet për gishta të shkurtër. Të lyer me këtë ngjyrë duken më të gjatë, sidomos nëse mësoni edhe t’i bëni disa truke, siç është shtyrja e kutikulave drejt bazës së thoit dhe këta të fundit të mos priten shumë shkurt.
Manikyr rozë
Manikyr rozë dhe perlë i rekomanduar për gishtat e gjatë, këto ngjyra i japin një dimension tjetër formës së thonjve. Nxjerr në pah gjatësinë, që nuk duhet të jetë shumë e tepruar. Para se të vendosësh shtresën e manikyrit, duke qenë se ngjyrat e çelura i nxjerrin më në pah papërsosmëritë, vendos fillimisht mbi thonj një manikyr mbrojtës transparent.
Manikyr i purpurt dhe vishnje
Janë tonet e përshtatshme për gishtat e shkurtër të këmbëve. Në këtë rast këto ngjyra aplikohen mbi thonj paksa të gjatë, sepse ngjyrat e ndezura i nxjerrin edhe më pah.
Manikyr violet
Manikyr violet, nëse ke një këmbë të gjerë, bëje që të duket më e zgjatur duke i limuar thonjtë në mënyrë ovale paksa të zgjatur dhe duke aplikuar manikyrin në ngjyrë violë në pjesën qendrore të thoit. Edhe ngjyra natyrale e lëkurës është shumë e rëndësishm në zgjedhjen e tonalitetit të duhur të manikyrit. Specialistët e kësaj fushe, para se të aplikojnë manikyrin, i referohen ngjyrës së lëkurës në pjesën e brendshme të pulsit.
Lëkura
Nëse lëkura në këtë zonë anon nga e kaltra, zgjedhja duhet të mbështetet në tonet e ftohta, ndërsa te ngjyrat e ullinjta të lëkurës shkojnë më shumë tonet më të forta. Lëkura e bronzuar kombinohet me ngjyra solare, si portokalli, e kuqe dhe reflekse sedefi. Kij parasysh që portokallia tenton të lërë një aureolë jo të këndshme në pamje të parë, prandaj më parë apliko manikyrin transparent mbi thonj. Kur thonjtë kanë shenja nga duhanpirja një truk shtëpiak të vjen menjëherë në ndihmë. Futi gishtat në lëng limoni për dhjetë minuta ose vendosi në tretësirë kripe të trashë. Kjo metodë është e përdorshme edhe në shfryrjen e duarve. Kujto që herë pas here t’i lësh thonjtë të marrin frymë, edhe pse manikyri krijon një barrierë mbrojtëse nga agjentët e jashtëm. Gjatë kësaj periudhe ushqeji thonjtë me vaj ulliri.
Kafshimi i thonjve
Disa detaje, sado në dukje të vogla, siç janë thonjtë e duarve dhe të këmbëve,
mund ta ndryshojnë fotografinë mbi bukurinë e njeriut në sytë e të tjerëve. Ndër gjërat e para që vërehen në pamjen e femrës janë edhe thonjtë. Në anën tjetër, kafshimi i thonjve me dhëmbë jo vetëm që i dëmton ata dhe lëkurën përreth tyre, por nuk është fare higjienike dhe e shëndoshë. Kjo shprehi patjetër duhet të largohet me vendosmëri, ashtu siç luftohet edhe çdo shprehi tjetër.
Për t’i zbukuruar thonjtë tuaj dhe në këtë mënyrë për ta kompletuar fotografinë e bukurisë suaj, nuk është patjetër që të shkoni te ndonjë manikyrist, sepse për bukurinë e tyre mund të kujdeseni edhe vetë. Mjafton që një herë në javë, atëherë kur të keni kohë të lirë, t’i vendosni duart në ujë të vakët apo në vaj të ngrohtë të ullirit, që thonjtë të zbuten.
Si t’i lyeni thonjtë?
Pastaj me anën e lakuar (të rrumbullakët) të limës për thonjtë shtyni skajet e thonjve nga rrënja e saj dhe filloni t’u jepni formë duke i trajtuar me kujdes me anë të limës së dedikuar për thonjtë. Skajet e thonjve mos i preni asnjëherë. Thonjtë nuk bën t’i lyeni para se t’i lustroni mirë me limë për lustrim. Është e pëlqyeshme që, nëse dëshironi që të keni llakun më të bukur, së pari ta lyeni me një shtresë bazë të tejdukshme, kështu qo do të keni thonj më të bukur dhe llaku do të qëndrojë më gjatë. Në rast se thonjtë apo lëkurën e keni të plasaritur dhe të vrazhdë, së pari do duhet t’i kuroni ato me ndonjë krem për duar, duke i lyer edhe thonjtë deri në rrënjë. Sa më e shëndoshë që të jetë rrënja e thonjve, aq më të bukura, më të fortë dhe më të shëndoshë do t’i keni thonjtë.
Mungesa e vitaminave
Edhe mungesa e vitaminave në organizëm mund të manifestohet me çrregullime tek thonjtë. Nëse thonjtë tuaj bëhen të vrazhdë dhe shtresohen fleta-fleta, atëherë mund të flitet për çrregullim të kalciumit, gjegjësisht mungesë të saj në organizëm. Thonjtë, si ata të duarve, po ashtu dhe ata të këmbëve, meritojnë kujdes gjatë gjithë kohës. Mirëpo kujdes më të madh duhet t’u kushtohet gjatë sezonit të verës, kur mbahen nëpër këmbë sandale dhe papuçe. Po ashtu, preferohet larja e këmbëve në ujë të vakët dhe kjo, jo vetëm për arsye higjienike, por ngase me atë veprim thonjtë dhe shputat zbuten dhe formësohen më lehtë.
Thonjtë e këmbëve
Gjatë prerjes së thonjve, mundohuni që të jenë të prerë drejt e jo pjerrtas, sidomos skajet e tyre. Nëse thonjtë i preni pjerrtas, atëherë ata do të mund të rriten dhe të depërtojnë në lëkurë. Dhe për fund, para se ta vendosni shtresën e llakut, kujdesuni që tërë yndyrën ta largoni nga thonjtë. Në sezonin e verës, kur këmbët djersiten shumë, para se t’i mbathni këpucët, spërkatini ato me pudër pluhur apo spraj. Mund të përdorni edhe talk, pudër të rëndomtë që shitet nëpër farmaci. Kështu, këmbët do t’i keni të freskëta për një kohë më të gjatë dhe do ta pengoni shfaqjen e baktereve dhe të kërpudhave në to. Dhe, nëse edhe pas gjithë kujdesit tuaj, nuk jeni të kënaqur me thonjtë tuaj, provoni ta vizitoni ndonjë pedikyrist apo manikyrist, nëse keni në afërsi, dhe konsultohuni me të.