Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi deklaroi të
enjten se statistikat e Policisë tregojnë për rritje të efikasitetit në
luftimin e trafikimit me narkotikë, megjithatë sipas tij mbetet ende
shume për tu bërë.Ai këto komente i bëri në takimin e Grupit
ndërinstitucional për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit
Kundër Drogave 2009-2012.
Rexhepi po ashtu kërkoi të punohet në drejtim të konfiskimit dhe
sekuestrimit të pasurisë së fituar me anë të trafikimit të drogave. Ai
tha se ekziston baza ligjore për konfiskim të pasurisë që është Kodi
Penal i Kosovës dhe Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji për
administrimin e pasurisë se konfiskuar dhe sekuestruar.
Ministri Rexhepi gjithashtu theksoi se është themeluar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.
Ndërsa ndihmësdrejtori për hetime në Policinë e Kosovës, Riza
Shillova, raportoi se ka progres të dukshëm në zbatimin e Strategjisë
dhe se njëkohësisht është rritur bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës,
Doganës së Kosovës dhe Prokurorisë së shtetit.
Bahri Berisha, Drejtor i zbatimit te Ligjit në Doganë të Kosovës, tha
se një ndër vështirësitë më të mëdha që vazhdohet të haset në zbatimin e
Strategjisë kombëtare kundër drogave është pamundësia e anëtarësimit në
organizata ndërkombëtare dhe të zbatimit të Ligjit dhe shkëmbimin e
informatave lidhur me trafikimin e narkotikeve në nivelin ndërkombëtar.
Ndërsa, udhëheqësi i Qendrës Mediko-Psikoterapike, Labyrinth, Safet
Blakaj, tha se rreth 1 mijë e 200 përdorues të drogës e frekuentojnë
këtë Qendër.
Nga janari i këtij viti e deri më tani, Policia ka kryer 57
operacione kundër grupeve të ndryshme kriminale të dyshuar për trafikim,
posedim dhe kultivim të drogave. Nga këto operacione të kryera, janë
arrestuar 178 persona, ku 99 prej tyre iu është caktuar masa e
paraburgimit, janë hapur 104 raste.
Gjatë periudhës janar-maj është konfiskuar kjo sasi e drogës:
heroinë, 18 kg e 499 gram; marihuanë, 87 kg e 218 gram; kokainë, 2 kg e
548 gram dhe 133 bimë kanabis 133 bimë. /Telegrafi/