Edhe pse jeton në Prishtinë, Ibrahim Makolli, i sapoemëruar ministër për Diasporë në Qeverinë e Kosovës, beson se di shumë për problemet që kanë bashkatdhetarët. Krijimin e këtij dikasteri, ai nuk e shikon thjesht si një vend pune për të, por si një borxh që duhet kthyer diasporës, për kontributin e madh që ata kanë dhënë për Kosovën.
Në një intervistë për Albinfo, ministri Makolli shpreson edhe në miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Mërgatën, që aktualisht është në amandametim. Me këtë ligj, partitë politike të Kosovës në diasporë do të shuhen, kurse potenciali i bashkatdhetarëve do të kanalizohet në një drejtim.
I pyetur pse e ka pranuar këtë post, Makolli ka thënë se ka disa arsye.
”E para, se tash e shumë kohë i njoh problemet, shqetësimet dhe nevojat e diasporës”, ka thënë ai.
Makolli konsideron se mërgata e meriton një trajtim institucional dhe se e ka dhënë provimin për këtë Kosovën.
“Edhe para viteve të 90-ta, deri në fillim të luftës, edhe në periudhën e luftës, jo vetëm me mjete materiale. Sepse ka përpjekje të thuhet se vetëm materialisht ata kanë ndihmuar, por diaspora e ka dhënë provimin edhe politik, material dhe njerëzor për vendin. Është koha që Kosova t’u kthejë atë borxh”, ka thënë Makolli.
Sipas tij, me Ligjin për mërgatën, që tash është në amendamentim, parashikohet krijimi i këshillave të mërgatës në secilin shtet.
Ai ka premtuar se Ministria për Diasporë do të jetë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë në funksion të diasporës.
“Jam shumë i përkushtuar që brenda një afati të shkurtër kohor, të shihen efektet e para të kësaj ministrie. Ne tashmë po përgatitemi t’i presim bashkatdhetarët tanë. Po fillojmë bashkëpunimin me nivelin qendror e lokal për trajtimin e nevojave të tyre në afatin më të shpejtë kohor”, ka thënë Makolli, i cili aktualisht është ushtrues I detyrës së kryetarit të AKR-së, partisë pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës.
Ministri po ashtu ka premtuar se për ndihmë juridike, që do të formohet në kuadër të ministrisë, do të eliminojë pengesat e shumta të mërgimtarëve, duke filluar nga sigurimet e automjeteve në pikat kufitare dhe dhënien e dokumenteve.
“Diaspora, përfundimisht nuk duhet të shikohet vetëm si potencial ekonomik për vendin, por në radhë të parë si potencial intelektual dhe politik”, ka thënë Makolli.