Mbi 150 tonë mish me prejardhje të dyshimtë apo me afat të skaduar janë zënë vetëm gjatë këtij viti nga doganat, përkatësisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Zyrtarët e Shoqatës të Përpunuesve të Mishit thotë se tregtarët mund të tentojnë këtë, por janë institucionet përgjegjëse që duhet të zbulojnë. Kjo filozofi e biznesit, ndërkaq, nuk përkon me etikën që duhet ta posedojë çdo afarist.
Nga maji i vitit të kaluar janë zënë rreth 400 tonë mish të prishur, kurse vetëm gjatë këtij viti, nga tregtarët e papërgjegjshëm, janë zënë 150 tonë, tregon për Radio Blue Sky, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Valdet Gjinovci.
“Që nga maj i vitit të kaluar, deri në mars të këtij viti numri total i produkteve të mishit që janë asgjësuar shkon në shifër prej rreth 410 tonë. Vetëm këtë vit në pikat e kalimit kufitar janë konfiskuar dhe asgjësuar 150 tonë mish dhe produkte të mishit. Me origjinë të dyfishtë apo me afat të skaduar”, thotë Gjinovci.
Tonelatat e mishit të prishur nga afaristë kanë qenë të dedikuara për popullatën tonë, mesa duket pa u brengosur fare për dëmtimet shëndetësore që mund të shkaktohen. Kryetari i Shoqatës së Importuesve të Mishit, Burim Piraj, duke mos kërkuar përgjegjësi nga anëtarët e Shoqatës, thotë se tregtari mund të provojë gjithçka, por institucionet janë ato që duhet të zbulojnë.
“Janë agjencitë shtetërore, të cilat merren me kontrollin dhe mbikëqyrjen. Nuk duhet të bazohemi gjithnjë në ndershmërinë e tregtarit ose të përpunuesit. Thjesht pa marrë parasysh se sa një tregtar është i ndërgjegjshëm, duhet të jetë i mbikëqyrur”, theksoi Piraj.
Filozofia e biznesit kur afaristi mendon vetëm për përfitim personal, e jo edhe për shëndetin e popullatës, nuk është etik. Profesori i lëndës “Etika në Biznes”, Mazllum Baraliu ndjen keqardhje për këtë. “Është për të ardhur keq, sepse, një deklaratë e tillë, një bindje dhe një vetëdije e tillë në biznes është edhe anti-etike edhe anti-ligjore. Të amnistosh, të arsyetosh keqpërdorimin, si diçka që mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë në treg është më tepër se papërgjegjësi, sepse është anti-etike dhe anti-ligjore”, thotë Baraliu.
Për të përmirësuar këtë gjendje, sipas Baraliut, në radhë të parë duhet të ngritët vetëdija e subjekteve biznesore, qytetarëve, por edhe institucioneve. Me ngritjen e vetëdijes, nënkuptohet respektimi i ligjit dhe i kodeve etike. /Telegrafi/