Një plan për përmirësimin e imazhit të Kosovës është kërkesa e
miqve ndërkombëtarë, që u është adresuar krerëve të institucioneve dhe
disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.Duke parë që
Kosova tashmë po figuron në faqen e shtypit dhe medieve ndërkombëtare si
një vend që ka probleme me një raport të përkufizuar si “raporti i Dick
Martyt”, përfaqësues me ndikim ndërkombëtar, përfshirë edhe ata që kanë
shërbyer në Kosovë në misione të ndryshme, u kanë sugjeruar krerëve të
institucioneve që të ndërmarrin hapa që
do të ndikonin në përmirësimin e këtij imazhi të keq, duke prezantuar edhe vlerat dhe anët pozitive të shtetit kosovar.
Sipas një burimi ndërkombëtar, një prej atyre që ka mbështetur idenë e
prezantimit të faqes pozitive të Kosovës para botës, qeveria nuk po
mund të dëshmohet me asgjë se mund të bëjë diç në përmirësimin e imazhit
të keq, shkruan Zëri.
Pavarësisht se në krye të saj është lideri më i votuar në Kosovë dhe
një nga figurat kyçe të luftës çlirimtare, Hashim Thaçi, ai në vend se të
ndikonte pozitivisht me të qenit në krye të qeverisë, për rrethanat e
krijuara pas “raportit Marty”, e gjithë Kosova po shihet ndryshe
pikërisht për shkak të përmbajtjes së raportit të zviceranit Marty.
Ndërkohë që qeveria si tërësi dhe si qeverisje nuk po ia del që të
dëshmojë me asgjë se është e përkushtuar në luftimin e krimit të
organizuar dhe korrupsionit, si fenomen dhe hije e keqe e instaluar në
të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës.
“Çështja e imazhit të Kosovës është komplekse dhe është e të gjithëve
bashkërisht. Presidentja e vendit është duke i kryer detyrat e saj
kushtetuese dhe ligjore, duke respektuar mandatin e saj në imazhin real
të Kosovës”, thotë Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes.
Ndërkohë, burime ndërkombëtare thonë se nëse plan propozimi do të
realizohej nga institucionet, Jahjaga do të krijonte dhe udhëhiqte
ekipin, ku do të përfshiheshin figura të famshme të politikës botërore
të dëshmuara edhe si miq të Kosovës, kurse për krah do ta kishin edhe
presidenten dhe ekipin e saj.
Sidoqoftë, plani është prezantuar, ai është gati, tani vetëm pritet
që të konfirmohet gatishmëria e presidentes dhe institucioneve tjera
pjesëmarrëse nëse duan ta zbatojnë siç u është rekomanduar, apo do ta
bëjnë një plan të modifikuar me pikëpamjet vendore.
Nga institucionet zyrtarisht as nuk është konfirmuar, e as mohuar ky plan për veprim për imazhin e Kosovës. /Telegrafi/