Mitrovicë, 28 janar - Kompania italo-kosovare “Energykos” ka prezantuar të premten projektin ideor “Impianti i riciklimit të mbeturinave urbane të pa diferencuara në rajonin e Mitrovicës”. Ky prezantim u bë para drejtuesve të Komunës së Mitrovicës, anëtarëve të Kuvendit, ekspertëve të kësaj komune, përfaqësuesve të komunave të rajonit, Vushtrri e Skenderaj, si dhe përfaqësuesve të grupeve të ndryshme të interesit.
Përfaqësuesi i parë i kompanisë “Energykos”, Tommaso De Crescenzo, tha se i kanë hyrë kësaj pune me qëllim që në Kosovë të sjellin zhvillim e jo vetëm tregti, andaj edhe është formuar kjo kompani italo-kosovare, e cila është e regjistruar, paguan tatime dhe krijon vende pune në Kosovë.
“Investimet që do të bëhen në këtë impiant janë investime private. Nuk presim fonde publike për realizimin e projektit. Nga ju kërkojmë që administrata publike dhe politika të na mbështesin”, tha Crescenzo.
Ndërkaq, koordinatori i projektit, Adnan Merovci, tha se deponia e mbeturinave në Mitrovicë është në gjendje tmerri, gjë që ka kushtëzuar një qasje për zgjidhjen e këtij problemi.
Kjo kompani ka filluar përpilimin e projektit në fjalë pas takimit me ish kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi dhe përfaqësuesit e komunave Vushtrri dhe Skenderaj. Ai iu prezantua këtyre autoriteteve për t’u vlerësuar nga të në mënyrë që më pas nëse mbështetet të fillohet me konkretizimin e tij.
Përfaqësuesi tjetër i “Energykos”, Francesko Bolognini, tha se projekti për ngritjen e këtij impianti është ideuar për të dhënë një përgjigje moderne të kohës për problemin e mbledhjes dhe riciklimit të mbeturinave, që në Itali njihet shumë mirë.
Ai tha se projekti parasheh zgjidhjen e këtij problemi për tri komunat me një hapësirë prej 1.000 kilometra katrorë dhe me rreth 483.000 banorë, ku është konstatua se mbetja e mbeturinave gjatë ditës për një person është 0,7 kilogram.
“Projekti do të jetë profitabil për një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë, ndërsa që impianti do t’i përgjigjet edhe parametrave të ambientit në Kosovë”, tha Bolognini.
Që të tre përfaqësuesit e kompanisë “Energykos” thanë se benefitet e komunës dhe të komunitetit do të jenë të shumëfishta, por para së gjithash do të përfitohet një ambient i pastër, nuk do të ketë më ndotje të ambientit nga mbeturinat dhe do të hapen vende të reja pune.
Shumica e të pranishmëve e mbështetën idenë e realizimit të këtij projekti, duke kërkuar që kjo të finalizohet sa më shpejtë, derisa disa sosh treguan skepticizëm sa i përket vendit të ngritjes të impiantit, e që ishte afër lumit Ibër.
Ndryshe, fjalën e fundit por realizimin apo mosrealizimin e këtij projekti e kanë këshilltarët e kuvendeve të komunave të rajonit të Mitrovicës.