Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kanë tërhequr vërejtjen për parregullsitë në mbarëvajtjen e rivotimit të së dielës në Mitrovicë, që, sipas këtyre subjekteve politike, filluan qysh në mëngjes.
“Në orën 9:55, në shkollën ‘Migjeni’, në vendvotimin 1102b/07r, në Mitrovicë, vëzhguesi i Vetëvendosjes, Egzon Jashari kërcënohet nga komisioneri i PDK-së Metor Balia. Kryesuesi Salih Hetemi, nga LDD-ja nuk lejon që ky rast të shënohet në librin e votimeve. Në qendrat e votimit 1102X dhe 1102B, përkatësisht në shkollat fillore ‘Abdullah Shabani’ dhe ‘Migjeni’ nuk u lejuan gazetarët të hyjnë brenda, me arsyetim se është urdhër nga KKZ-ja. Ndërkaq në shkollën fillore ‘Hivzi Sylejmani’, në qendrën e votimit 1112b, numri i votuesve në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 ka qenë 2933, ndërsa në këto zgjedhje 3202. Në qendrën e votimit 1129b 02d, në shkollën ‘Sylejman Vokshi’, kryesuesi i vendvotimit Muhamet Veseli nga radhët e PDK-së, orienton votuesit: ‘Votoni IPKO’, që nënkupton numrin 49 - PDK. Në shkollën fillore ‘Abdullah Shabani, në vendvotimin 1102x, në orën 10:23, në kabinën e votimit është gjetur një kartelë voto AKR”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.
Sipas këtij subjekti politik, TV Mitrovica nga ora 11:33 ka transmetuar fjalime dhe aktivitete të Hashim Thaçit, duke e thyer në këtë mënyrë heshtjen zgjedhore.
Vetëvendosje shpreh brengosjen e saj se komisionarët e partive politike, të prirë nga ata të PDK-së edhe këtë radhë po tentojnë të implementojnë të njëjtin skenar sikurse në votimet e 12 dhjetorit dhe atyre të 9 janarit.
Ndërsa sipas LDK-së, parregullsi janë vërejtur në vendvotimin numër 1102b/13, në Mitrovicë, në kohën e hapjes së vendvotimit, është raportuar se janë 650 fletëvotime, kurse në orën 12:00 është konstatuar që janë 600 fletëvotime.
“Nuk është aspak e qartë se çfarë ka ndodhur me 50 fletëvotime. Për këtë Shtabi Zgjedhor i LDK-së në Mitrovicë ka informuar Komisionin Komunal Zgjedhor, ndërsa Shtabi Qendror i LDK-së ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në një njoftim të LDK-së.
LDK-ja bëri thirrje që të respektohen normat dhe ligji e që të mos vijohet të deformohet vullneti i qytetarëve të komunës së Mitrovicës.
Ndërkohë, sipas të dhënave të LDK-së, pjesëmarrja në këto zgjidhje, është shumë e ulët. Deri në orën 12:00 kanë dalë 4821 votues ose rreth gjashtë për qind.
KQZ-ja, nga ana tjetër, nuk është e njoftuar për parregullsi zgjedhore dhe ende nuk ka njoftuar për përqindjen e daljes së votuesve në zgjedhjet e ripërsëritura parlamentare në komunën e Mitrovicës