Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës në Bullgari ka thënë se idetë që vijnë nga Serbia për shkëmbimin e territoreve, për ndarje dhe krijimin e shteteve monoetnike janë ide të rrezikshme dhe mund të prodhojnë vetëm dhunë në Ballkan.
Ministri Hoxhaj para dhjetëra diplomatëve të shteteve të ndryshme ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Diplomatik të Bullgarisë me temën “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës”.
“Të hënën zoti Tadic propozon ndarje të Kosovës, të martën flet për shkëmbim të territoreve, të mërkurën flet për krijimin e shteteve monoetnike në Ballkan, derisa të enjten dhe të premten vjen me deklarata tjera. Ide të tilla janë shumë të rrezikshme dhe mund të prodhojnë dhunë, jostabilitet dhe mund ta kthejnë Ballkanin 20 vjet mbrapa. Kufijtë e Ballkanit janë vendosur, janë stabil dhe çështja e sovranitetit, e territorit janë çështje të mbyllura”, ka thënë Hoxhaj.
Sa i përket shtetndërtimit të brendshëm, Hoxhaj ka thënë se në këto tri vite është bërë një punë shumë e madhe në implementimin e Pakos së Ahtisaarit, në reformimin e shtetit dhe të shoqërisë, derisa po vazhdojnë përpjekjet për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri i jashtëm ka ritheksuar nevojën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Evropë dhe nevojën e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. “Vetëm dy milion kosovarë nga 50 milion qytetarë të Ballkanit, nuk kanë drejtë të lëvizjes pa viza në Evropë. Kosova sot është shtet i izoluar dhe ne nuk dëshirojmë të mbesim një popull i harruar në mes të Evropës. Ne kërkojmë udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave”, ka thënë ai.
Hoxhaj po ashtu, ka takuar anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Bullgarisë. Përveç aspekteve të tjera të thellimit të bashkëpunimit bilateral, deputetët bullgarë kanë marrë iniciativë për krijimin e grupit të miqësisë Bullgari-Kosovë, në kuadër të Asamblesë Nacionale bullgare, grup i cili pritet të krijohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë vizitës në Sofje, ministri Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në një ceremoni simbolike në Ambasadën e Kosovës në Bullgari, ku së bashku me ambasadoren, Ariana Zherka Hoxha, ka bërë dorëzimin e pasaportës së Kosovës, për një student kosovar në Bullgari. /Telegrafi/