Mbi 32 mijë nxënës kosovarë do t’i nënshtrohen testit shtetëror
të arritshmërisë. Në të gjitha qendrat e Kosovës, të mërkurën, nxënësit
që kanë mbaruar klasën e nëntë, do të sprovojnë njohuritë e tyre përmes
këtij testi, të cilat do të merren për bazë për regjistrim në shkollimin
e mesëm.Pikët e fituara pas plotësimit të testit prej 100
pyetjeve, do të orientojnë vetë nxënësit për profesionin e së ardhmes.
Varësisht nga poenët e fituara nxënësit do të përzgjedhin edhe drejtimin
që duan të studiojnë qoftë në gjimnaze apo shkolla profesionale. Për të
studiuar drejtimin e preferuar nxënësit duhet të sigurojnë dhe pikët në
lëndët prioritare që përfaqësojnë atë drejtim.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT) ka
konfirmuar përgatitjet e bëra në të gjitha qendrat e vendit për
organizimin e testit të dytë shtetëror, për matjen e nivelit të dijes së
nxënësve dhe cilësisë në arsimin parauniversitar.
Mustafë Kadriu, udhëheqës i Njësisë për Vlerësim dhe Standarde në MASHT
ka thënë për “Zërin” se testet janë përpiluar me kohë, kurse në ministri
do të dërgohen po ashtu sipas dinamikës së paraparë nga shtypshkronja,
që të nisë shpërndarja e tyre në ora 06:00, të mëngjesit, të mërkurën,
në të gjitha komunat.
Ai ka theksuar se testi që do të masë njohuritë e semimaturantëve,
plotëson të gjitha standardet dhe i është përshtatur planprogramit që
kanë vijuar këta nxënës. Testimi i nxënësve do të fillojë në të gjitha
qendrat e testimit njëkohësisht në ora 10:00 të paradites. Kurse një orë
më herët në këto qendra do të jenë administratorët dhe vëzhguesit.
Për dallim nga provimi shtetëror i maturës, në testin e arritshmërisë
nuk do të ketë ngelës, as përqindje të kalueshmërisë. Mirëpo, Kadriu ka
thënë se sipas poenëve që grumbullojnë në provim, nxënësit do të dinë
edhe ku të drejtohen për shkollim të mesëm.
Sipas zyrës së Njësisë për Vlerësim dhe Standarde publikimi i
rezultateve planifikohet të bëhet me datë 8 korrik, para shpalljes së
konkursit në shkolla të mesme për pranim të nxënësve. Ndërkaq,
përfundimi i këtij testi, përfshirë dhe ankesat eventuale parashihet të
finalizohet më 15 korrik. /Telegrafi/