Drejtuesit e EULEX-it kanë kërkuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, që institucioni të cilin ai e drejton-Kuvendi i Kosovës, ta miratojë një rezolutë, me anë të së cilës do t’u hiqej imuniteti deputetëve që janë nën hetime, dhe kështu do t’i hapej rruga arrestimit të mundshëm të tyre.
Nëpërmjet një shkrese, të cilën e ka parë gazeta “Zëri”, drejtuesit e misionit të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit kanë kërkuar që legjislativi i vendit përmes asaj rezolute ta autorizonte Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të kërkojë mendim nga Gjykata Kushtetuese nëse deputetët që janë nën hetime mund të arrestohen ose jo.
“Letra kërkon nga kryetari ta ftojë Kuvendin që të nxjerrë një rezolutë në të cilën do t’i kërkohet qeverisë që të referojë çështjen e imunitetit në Gjykatën Kushtetuese për një vendim përfundimtar”, thotë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Ai thekson se ky mision e “mbështet pikëpamjen e prokurorit të shtetit, Ismet Kabashi, i cili kohë më parë ka deklaruar se “deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputetë dhe nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprat e kryera para se të zgjidhen deputetë apo për vepra të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputetë”.
Këtë kërkesë, të premten, e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili thotë se është duke e analizuar dokumentin në fjalë dhe se deri në mes të javës së ardhshme do ta njoftojë EULEX-in për qëndrimin e tij, shkruan Zëri.
Ai thotë se është duke e analizuar këtë shkresë se sa ka mbështetje ligjore e kushtetuese dhe sa mund të jetësohet duke u bazuar në Ligjin për të Drejtat e Deputetit dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Ndonëse ende nuk e ka marrë një qëndrimin përfundimtar në raport me shkresën, Krasniqi thotë se, “sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, legjislativi i vendit nuk ka hapësirë ligjore për të nxjerrë një rezolutë të tillë”.
Ndërkaq, zyrtarë të lartë shtetërorë, që nuk kanë dashur t’iu dalë emri në gazetë, i kanë thënë “Zërit” se kërkesa e EULEX-it është që legjislativi të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi dhe si e tillë është kërkesë antiligjore që pak ka gjasa të përkrahet nga udhëheqësit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Kjo s’mund të ndodhë sepse është veprim antikushtetues. Po shihet se kjo çështje është krejtësisht politike”, thotë ai. Përveç kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, shkresa e EULEX-it tashmë gjendet edhe në duart e nënkryetarëve të Kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Adrian Gjini, e konfirmon se e ka marrë shkresën në fjalë. Deputeti Ardian Gjini thotë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që t’i zhveshë disa deputetë nga imuniteti, por ai thekson se këtë veprim ekzekutivi nuk po ka guxim ta ndërmarrë vetë, pa u shtyrë nga Kuvendi.
“Letra thotë se Qeveria e Kosovës është pajtuar me EULEX-in që ta bëjë një gjë të tillë, pra që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese opinion, mirëpo paraprakisht po kërkon që Kuvendi t’ia bëjë një kërkesë qeverisë për këtë punë, sepse qeveria nuk po dëshiron ta marrë krejt përgjegjësinë vetë”, thotë Gjini. /Telegrafi/