Janë dëmtuar ose jo raportet mes institucioneve të Kosovës me EULEX-in? Ndërhyrja e njësive speciale të Policisë në veri, në fund të muajit korrik, bëri që vetë kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, të akuzojë misionin evropian se nuk e ndihmoi Prishtinën. Tri javë pas këtij aksioni, në Qeveria nuk ka një qëndrim unik për raportet me EULEX-in.
Aksioni në veri pati zbehur raportet, për të cilat ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për një kohë kanë qenë të dëmtuara. Ai ka thënë se që nga ajo kohë, ka hezitim në shkëmbimin e informacioneve në mes të ministrisë që ai e drejton dhe EULEX-it.
Megjithatë, dy ditë më parë, ministri Rexhepi ka pranuar se qëndrimet me EULEX-in shpesh kanë qenë krejtësisht të ndryshme, kryesisht për çështjet që lidhen me mandatin dhe qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës. “Nganjëherë po e teprojnë me atë mandat dhe nuk po e shpjegojnë drejt”, ka thënë Rexhepi
Një vlerësim më të butë për raportet me EULEX-in e ka zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. “Asnjëherë Qeveria e Kosovës nuk e ka vënë në dilemë bashkëpunimin me EULEX-in. Ne kemi pasur logjikën e dinamikës së punës dhe shpeshherë dinamika e veprimeve tona ka qenë më e shpejtë, por gjithmonë kemi menduar se bashkëpunimi ka sukses”, ka thënë Kuçi, gjatë një vizite që ka pasur bashkë më shefin e komponentës së EULEX-it për drejtësi Silvio Bonfigli në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.
EULEX-i nuk e pati ndihmuar Prishtinën zyrtare në aksionin e saj në veri. Për më tepër ndërhyrjen për kthimin e kontrollit në pikat kufitare e konsideroi si të padobishme, meqë nuk ishte bërë në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Për këtë qëndrim u kritikua nga vetë shefi i ekzekutivit, Hashim Thaçi. Por, disa ditë pas aksionit, raportet duket se shkuan drejt përmirësimit, pas një takimi të Thaçit me shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, gjatë të cilit ky i fundit tha se misioni evropian respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Nga ana e tij, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, flet për vazhdimësi të bashkëpunimit në fushat për të cilat EULEX-i ka kompetenca në Kosovë. “EULEX-i vazhdon bashkëpunimin me institucionet që merren me sundim të ligjit duke përfshirë drejtësinë, policinë dhe doganat e rasti i fundit në bashkëpunimin me policinë është hetimi i vrasjes së një polici të Kosovës, tentim vrasje me mjete shpërthyese si dhe incidentet në pikën 1 dhe 31. Të gjitha këto raste janë duke u hetuar në bashkëpunim mes policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës, hetimet po bëhen nën udhëheqjen e prokurorëve të EULEX-it”, ka thënë Krasniqi.
Zyrtarë të EULEX-it, tri vjet pas vendosjes në Kosovë, nuk kanë arritur që mandatin ta ushtrojnë në tërësi në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe. Nuk dihet nëse tani pas arritjes së pajtueshmërisë mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit, EULEX do nisë së zbatuari ato që i ka quajtur prioritete siç është vendosja e doganierëve në kufi apo vënia në funksion e gjykatave. /Telegrafi