Bujar Bukoshi ka thënë në ditoren vjeneze “Der Standard” se nuk do të ketë zgjidhje për doganat nëse Serbisë i bëhen lëshime. Ndërkaq, Oliver Ivanovic ka thënë se “është i gatshëm të pranoj formularin e përbashkët doganor, por refuzon vulën e doganave të Kosovës”.
“Ne duam që në kalime të mos mblidhet dogana”, ka thënë i ashtuquajturi sekretar i Ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, duke shtuar se “Beogradi kërkon aplikimin e marrëveshjes së CEFTA”.
Ditorja vjeneze ia përkujton atij se po të zbatohej kjo marrëveshje, mes Kosovës dhe Serbisë prapë nuk do të duhej të ekzistonte lirimi nga doganat.
Ivanovic ka thënë se e mendon modelin sipas të cilit serbët e veriut do të mbajnë 80 për qind të lidhjeve me strukturat në Beograd, dhe 20 për qind me ato të Prishtinës.
“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet e Kosovës, dhe të mblidhemi në Kuvend, por i duam letërnjoftimet tona, tabelat e Serbisë, dhe pasaportat tona serbe”, ka thënë Ivanovic për “Standard”, transmeton “Tanjug”.
Ditorja vjeneze shton se ndarja e Kosovës nuk është e pranueshme për Perëndimin, sepse ekziston rreziku për Maqedoninë.
“Në vjeshtë do të mbahen takimet në kuadër të dialogut, e pastaj do të nisë kampanja zgjedhore në Serbi, kështu që bisedimet e ardhshme janë të pakuptimta”, vlerëson “Standard”.
Ish kryeministri i Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, ka thënë për këtë ditore se “nuk shmanget mundësia e shpërthimit të konflikteve të reja, prandaj kërkon zgjidhje të qëndrueshme për mosmarrëveshjet e doganave mes Prishtinës dhe Beogradit”.
“Nuk do të ketë zgjidhje, nëse Serbisë i bëhen lëshime. Nuk mund ta përjashtoj edhe konfliktin”, ka thënë ai.
Bukoshi kërkon që evropianët dhe SHBA-të në mënyrë të sinkronizuar ta kryejnë punën në Kosovë, që t’i ndihmojnë qeverisë së Kosovës që veriu të integrohet në shtet. Ai po ashtu nuk kupton se pse Serbia duhet ta marrë statusin e kandidatit për pranim në BE, nëse nuk do ta pranojë as vulën doganore të Kosovës.
Kur është fjala te EULEX, Bukoshi ka thënë se "fuqia e EULEX-it për të imponuar është gati si një karikaturë". /Telegrafi/