Impotenca mund të shfaqet në çdo moshë, por vihet re akoma më shumë me rritjen e saj. Studimet e fundit tregojnë që gjysma e meshkujve me moshë 40-70 vjeç kanë një problem të tillë.
Nga Dr. Ened Kacori
Urolog
Spitali Amerikan
Çfarë është impotenca?
Kjo mund të shpjegohet kështu: pavarësisht dëshirës për marrëdhënie seksuale, mosarritja e fortësimit të duhur ose pamundësia e vazhdimit të marrëdhënies. Çdo person herë pas here mund të ketë një problem të tillë. Ajo që është e rëndësishme për diagnozë të sëmundjes është koha. Nëse problemi vazhdon për më shumë se 6 muaj, atëherë themi se personi ka impotencë.
A duket problemi i impotencës vetëm tek moshat e mëdha?
Jo. Ai shfaqet më tepër mbi moshën 40 vjeç, por mund të shfaqet në çdo moshë. Sipas një studimi të fundit gjysma e meshkujve me moshë 40-70 vjeç, herë pas here kanë probleme me ereksionin ose nuk mund ta vazhdojnë atë mjaftueshëm. Shkaku i impotencës te moshat e mëdha janë sëmundjet e moshës si hipertensioni.
Cilat janë shkaqet e impotencës?
Shkaqet ndahen në dy grupe: faktorë organik dhe psikologjikë. Faktorët organikë janë sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, hipertensioni, diabeti, skleroza multiple, sëmundja Alzheimer. Një shkak tjetër organik janë traumat. Nëse trauma prek shtyllën kurrizore dhe krijohet një prerje që prek palcën, atëherë mund të shfaqet problemi i impotencës. Çrregullimet hormonale si p.sh niveli i ulët i testosteronit është një faktor tjetër që shkakton impotencë. Edhe operacionet janë një faktor ndikues i rëndësishëm. Sidomos gjatë operacioneve të zemrës ose enëve të gjakut ndikohet pjesa e organit që është e rëndësishme për ereksion.
Si vihet diagnoza?
Si fillim merret anamneza e pacientit për të ditur zhvillimin seksual të personit që nga fëmijëria, si edhe sëmundjet e kaluara. Më pas kërkohen disa analiza si glicemia, prolaktina dhe testosteroni, si edhe testet që përfshijnë sistemin kardiovaskular. Përveç këtyre personi vlerësohet nga një psikolog. Psikologu vlerëson nëse ka probleme martesore, ekonomike apo stresuese. Psikologu krijon një ide paraprake rreth personit duke kryer disa teste të vogla psikologjike. Një gjë e rëndësishme është nëse impotenca është shfaqur menjëherë apo për një kohë të gjatë. Nëse impotenca është shfaqur pas një kohe të gjatë, në këtë rast mendohen më tepër faktorët organikë. Nëse impotenca ka ndodhur menjëherë, atëherë mendohet më tepër të jetë psikologjike. Nëse pacienti thotë që kur është vetëm nuk ka probleme me impotencën, por kur ndodhet pranë partnerit nuk arrin dot fortësimin e duhur, atëherë mund të mendojmë më tepër arsye psikologjike.
A mund të paraqiten së bashku faktorët organikë dhe psikologjikë?
Po. Ndonjëherë nuk arrijmë të dallojmë nëse shkaku është organik apo psikologjik. Atëherë mund të përdoret testi i gjumit. Gjatë testit të gjumit pacienti vihet të paktën tre herë në gjumin e thellë. Gjatë gjumit të thellë, i cili zgjat 30 minuta, normalisht çdo mashkull duhet të ketë ereksion. Pra me anë të testit të gjumit vihet re nëse personi ka ereksion apo jo. Testi është tepër i thjeshtë. Pacienti vihet në dhomën e testit të gjumit. Një aparat i vogël lidhet te këmba e pacientit dhe dy aparate të tjera që dalin nga aparati kryesor, vihen mbi penis. Stimuluesit që vijnë nga aparatet, regjistrohen në kompjuter. Kështu arrihet të kuptohet sa ereksione kanë ndodhur gjatë natës, kohëzgjatja e tyre dhe sa fortësim ka ndodhur te koka dhe trupi i penisit. Këto të dhëna na japin informacion të saktë rreth pacientit.
A aplikohet ky test tek çdo njeri?
Jo. Ky test bëhet vetëm për personat e rinj dhe për rastet e vështira për diagnozë. Gjithashtu nëse planifikohet të kryhet operacioni i protezës, ky test duhet bërë patjetër.
Si trajtohet sëmundja?
Nëse problemi është psikologjik, atëherë zbatohet trajtim sjelljeje. Në këtë rast faktori kryesor janë situatat që e kthejnë marrëdhënien në frikë. Dmth nëse personi e ka përjetuar një herë këtë problem, ai mund të ketë frikën që mund të ndodhi përsëri dhe nëse kjo fiksohet në mendje, atëherë personi fillon të përjetojë atake paniku në marrëdhënie. Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm me terapi sjelljeje. Në këtë terapi paraqiten detyrat që duhet të zbatojë çdo partner i çiftit. Në fillim prekje dhe më pas masazh pa kryer marrëdhënie. Kështu çiftet hap pas hapi arrijnë në sukses.
Si trajtohen shkaqet organike?
Nëse niveli i hormonit është i ulët, ai mund të zëvendësohet. Pavarësisht dëshirës nëse personi nuk arrin ereksionin e duhur mund të përdoren edhe barna si Viagra, Levitra, Cialis.
A duhet patjetër rekomandim nga mjeku për përdorimin e ilaçeve?
Po , sepse secili prej tyre ka efektin dhe kohën e vetë të përdorimit. Për shëmbull Viagra mund të krijojë ereksionin e duhur vetëm pas 30 minutash ose një ore. Kurse Levitra mjafton të merret vetëm 15 minuta para marrëdhënies. Efekti i të dy barnave zgjat 5-6 orë. Çdo barnë ka efekt dhe kohëzgjatje të ndryshme, prandaj duhet marrë patjetër rekomandimi i mjekut për përdorimin e ilaçit të duhur.
Cilët persona mund të operohen?
Nëse medikamentet nuk kanë efekt, atëherë mund të bëhen injeksione në trupin e penisit. Pacienti e kryen vetë injeksionin para marrëdhënies. Pacientët kardiak që janë duke përdorur nitrat nuk mund të marrin medikamentet e sipërpërmendura.
Këta pacientë mund të përdorin injeksionin. Proteza është zgjidhja e fundit që rekomandohet kur asnjë nga trajtimet e mësipërme nuk ka qenë efektiv. Pacienti duke bashkëbiseduar me mjekun urolog, zgjedh një nga protezat me pompë dhe të përkulshme. Operacioni përdoret gjithashtu për të zgjidhur problemet si dhimbje gjatë ereksionit dhe përkulje penisi. Në Spitalin Amerikan, ekipi i urologjisë realizon suksesshëm ndërhyrjet kirurgjikale për zgjidhjen e impotencës.
SOMMARIO
Nëse personi e ka përjetuar një herë këtë problem, ai mund të ketë frikën që mund të ndodhë përsëri dhe nëse kjo fiksohet në mendje, atëherë personi fillon të përjetojë atake paniku gjatë marrëdhënies