Katërmbëdhjetë shtete anëtare të Komunitetit të Karaibeve respektivisht CARICOM-it, kanë marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Duke filluar nga sot dhe gjatë ditëve në vijim Kosova do të pranojë formalisht përmes përfaqësive të veta diplomatike në botë, respektivisht ne Londër, New York, Gjeneve, Paris, etj., edhe notat verbale për njohje nga këto shtete.
“Shtet anëtare të Komunitetit të Karaibeve, respektivisht CARICOM-it, gjatë ditës kanë konfirmuar dhe kane njoftuar Zyrën e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli përmes përfaqësive të tyre diplomatike në Londër dhe Gjenevë për vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, përkitazi me aktivitetin e dendur lobues të z. Pacolli”, thuhet në një komunikatë për media të Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Anëtarët e Komunitet të Karaibeve respektivisht CARICOM-it janë: Antigua dhe Barbuda, Bahamas, Barbados, Belize, Dominicia, Grenada, Guyana, Haiti, Xhamajka, Montserrat, Saint Kitts and Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent, Suriname dhe Trinidad – Tobago. Deri më tash nga Organizata e CARICOM-it Kosovën e ka njohur Belize.
“Zotimi për njohjen e Republikës së Kosovës nga shtetet anëtare të CARICOM-it, është bërë në mbledhjen e fundit të kësaj organizate, ndërsa procedimi formal i notës verbale do të bëhet nga shtetet anëtare veç e veç në orët dhe ditët në vijim”, thuhet në komunikatë.
Komuniteti i Karaibeve, respektivisht CARICOM-it, është organizatë e 15 shteteve të Karaibeve që ka për synim kyç, promovimin e integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit mes shteteve anëtare.
Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, njofton se zëvendëskryeministri Pacolli në përputhje të plotë me përgjegjësitë që ka, do të vazhdojë angazhimet e tija lobuese. “Po ashtu shprehim falënderim te veçante për Presidencën e Republikës së Kosovës dhe për MPJ, gjithashtu falënderim të veçantë për Ambasadën e Shteteve te Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën e Mbretërisë se Bashkuar për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e tyre në afirmimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Telegrafi/