Një muaj më parë, më 20 korrik, qeveria e Kosovës vendosi të ndalojë importimin e mallrave nga Serbia si një kundërpërgjigje ndaj ndalimit që ajo u kishte bërë mallrave nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë së kësaj te fundit. Kryetari i Odës ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se masat e ndërsjella tashmë po i japin frytet e tyre.
“Kjo po manifestohet çdo ditë e më tepër, qoftë në aspektin politik apo ekonomik, por mbi të gjitha në psikologjinë e konsumatorit dhe biznesmenit kosovar. Është një rritje enorme e konsumimit të prodhimeve vendore, është një shtim enorm i punësimit, që ka qenë një ndër problemet më të mëdha dhe mbi të gjitha është krijuar një opinion i ri që Kosova mund të jetoj në aspektin ekonomik edhe pa Serbinë, po ashtu edhe nga aspekti politik”, ka thënë Gërxhaliu në një bisedë për Zërin e Amerikës.
Gërxhaliu thotë se ndalimi i importeve nga Serbia nuk ka krijuar boshllëk në tregun e Kosovës. Shtetet e rajonit janë vënë në përpjekje për të fituar tregun dhe për të zëvendësuar importet nga Serbia që në vitin 2010 kishin arritur në rreth 320 milion euro.
“Vendet kyçe që e kanë bërë zëvendësimin, janë vendet evropiane. Është në rend të parë Shqipëria, Maqedonia Bullgaria dhe Turqia, por edhe vendet tjera që vërtet e kanë gjetur këtë boshllëk që të plasojnë prodhimet e veta dhe në qoftë se kishte për tu bërë një analizë e asaj se kush humb, atëherë me siguri ekonomia serbe do të jetë ajo e cila ka pësuar më së shumti. Duhet të kuptohet edhe një qasje psikologjike e konsumatorit, kur një treg humbet njëherë është shumë vështirë të kthehet dhe jam i mendimit se me këto procese politike dhe me këtë dozë të radikalizmit serb ndaj Kosovës, atëherë ekonomia serbe me të vërtetë ka humbur në këtë drejtim dhe do të jetë shumë e vështirë që të kthehet”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndalimi i importeve nxiti shqetësime për mundësinë e shtimit të kontrabandës së mallrave serbe. Gërxhaliu thotë se kjo çështja varet shumë nga vullneti politik. “Unë e kam thënë në të kaluarën dhe po e përsëris se kontrabanda në Kosovë do të ndalohet një qind për qind atëherë kur grupe të caktuara politike në Kosovë do ta minimizojnë dëshirën për të përfituar nga kontrabanda. Për kontrabandë, për dashuri, për luftë gjithmonë duhet të jenë dy palë. Me siguri se çdo kontrabandistë në këtë drejtim e ka një mbështetje nga qarqe të caktuara politike dhe fati i tyre është në duart e qarqeve të caktuara politike, sa janë të gatshëm që ta sakrifikojnë interesin e tyre”. /Telegrafi/