Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, Shefqet Kabashi ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e Prokurorisë në Tribunalin e Hagës, në rastin ndaj Ramush Haradinajt dhe të tjerëve. Ai i ka përsëritur ato që i kishte thënë dy ditë më parë, se nuk mund të dëshmonte dhe se nuk kishte për të thënë asgjë rreth këtij rasti. Pas kësaj Gjykata e Hagës e ka liruar këtë dëshmitar, ndërsa është akuzuar për shpërfillje të gjykatës dhe për këtë do të mbahet seancë të premten.
Pas këtij vendimi, në seancën e pasdites gjykimi i Ramush Haradinajt dhe të tjerëve ka vazhduar me marrjen në pyetje nga prokuroria të ish-shefit të sektorit analitik të Shërbimit Sekret Serb, Zoran Stijovic.
Atij nga prokuroria i janë paraqitur disa dokumente të Shërbimit Sekret Serb dhe deklarata të lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për të gjitha këto Stijovic ka thënë se ka njohuri.
Dokumenti i parë që i është paraqitur atij ka qenë një siç e ka quajtur ai notë zyrtare nga një mbledhje pune e Shërbimit Sekret Shtetëror në të cilën sipas tij, është diskutuar për ekzistimin e një grupi të paligjshëm që vepronte në Jabllanicë.
Për këtë kishte folur, në mbledhjen që ishte mbajtur më 26 shkurt 1997, shefi i këtij shërbimi nga Gjakova.
Ky grup, sipas tij, udhëhiqej nga Lahi Brahimaj dhe ishte i njohur për këtë shërbim për të gjitha aktivitetet që i kishte kryer në Gjakovë dhe Deçan.
“Në fund të kësaj mbledhjeje u mor vendim për një varg aktivitetesh që kishin qëllim pengimin e këtij grupi dhe hetimin e Lahi Brahimajt”, ka thënë Stijovic, transmeton “Zëri”.
Shërbimi Sekret Serb, sipas tij, e dinte që gjatë viteve 1995-1996 ishin kryer disa aksione nga ky grup kundër policisë, personave dhe shtëpive serbe.
Në pyetjen e prokurorisë se çfarë burimi të informacionit kishin për këtë, Stijovic ka thënë se si shërbim sekret kishin informatorët e tyre dhe se kanë bërë edhe përgjime të telefonave të Lahi Brahimajt dhe familjes së tij.
Ai ka pasur njohuri edhe për dy deklarata të lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila kishte marrë përgjegjësinë për vrasjen e di sa kolaboracionistëve. Njëri prej tyre, Maliq Sheholli, ishte vrarë nga grupi i Zahir Pajazitit.
“Ky ishte grupi i parë i UÇK-së që vepronte në Podujevë dhe udhëhiqej nga Zahir Pajaziti. Ne po përgjonim telefonin e tij dhe kishim organizuar një operacion për arrestimin e tij në Stacion të Autobusëve në Prishtinë, por ai na kishte hetuar dhe është larguar”, tha ai.
Edhe aksioni në Vushtrri, sipas tij, në të cilin është vrarë Pajaziti, është organizuar me qëllim arrestimin e tij. Stijoviq ka pasur njohuri edhe për një deklaratë tjetër të UÇK-së të nëntorit të vitit 1998, në të cilën ishte marrë përgjegjësia për vrasjen e dy kolaboracionistëve nga Drenica. /Telegrafi/