Shefat e delegacioneve në bisedimet teknike Kosovë - Serbi, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic, vazhdojnë të “manipulojnë” opinionin duke dhënë vlerësime të ndryshme për takimet e deritashme dhe rezultatin e arritur midis të dyja palëve. Nëse jo të dyja palët, atëherë njëra palë patjetër është duke mbajtur fshehtë diçka nga opinioni i vetë...
Derisa pala kosovare jep detaje të marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen në fillim të korrikut, pala serbe vazhdon të insistojë se marrëveshje ende nuk ka, edhe pse sipas Beogradit palët kanë rënë dakord për disa çështje.
Shefi i delegacionit serb në bisedime, Stefanovic, ka deklaruar se të dyja palët janë në prag të gjetjes së një zgjidhje për targat e veturave, por ka përseritur se në Serbi nuk do të mund të hyhet me targa që kanë të vizatuar stemen e Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, qytetarët tanë që janë nga Kosova dhe Metohija nuk do të mund të lëvizin nëpër pjesën tjetër të Serbisë, apo ta kalojnë kufirin e Serbisë, me të ashtuquajturen pasaportë të Kosovës, ka deklaruar Stefanovic për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug.
Sa i takon çështjes së targave, shefja e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, ka deklaruar se do të përdoret modeli sikur mes Greqisë dhe Maqedonisë, dy vende këto që kanë marrëdhënie jo të mira politike. Por Stefanovic ka thënë se deklarata e Tahirit është vetëm spekulim me qëllim që të ruhet nga reagimi i opinionit në Kosovë.
Stefanovic ka thënë po ashtu se është shumë e gabuar të flitet për detaje të një marrëveshje të paarritur, edhe nëse siç ka thënë ai, palët janë afër nënshkrimit të saj. Madje shefi i delegacionit serbë ka thënë se nëse arrihet marrëveshja, nuk do të ketë nënshkrime mbi to, pasi në këtë rast pala serbe do ta pranonte palen kosovare si palë të barabartë në bisedime.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Tahiri, ka thënë se në fillim të korrikut do të arrihen gjashtë marrëveshje me Serbinë. Ajo ka thënë se gjithçka mund të finalizohet më 2 korrik, në raundin e radhës të dialogut, derisa ka shpalosur detaje të pakos që përfshin gjashtë marrëveshje, të cilat janë dizajnuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper.
Tahiri kas thënë se dialogu për lëvizjen e lirë është bazuar në dy parime: për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve mes dy vendeve dhe parimi i reciprocitetit. Disa prej këtyre marrëveshjeve, sipas saj mund të fillojnë menjëherë të zbatohen, siç është çështja e lëvizjes së lirë, apo e njohjes së vulave të doganave. /Telegrafi/