Zëvendëskryeministrja e vendit, njëherësh kryenegociatorja Edita Tahiri, duke i vlerësuar shumë të rëndësishme marrëveshjet e arritura me Serbinë për njohjen e vulave doganore dhe kthimin e dokumenteve kadastrale, ka deklaruar se shteti serb me këtë akt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në fushën e doganave.
Në një intervistë për gazetën Epoka e Re, Tahiri theksoi se me arritjen e këtyre marrëveshjeve, institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë respektuar Kushtetutën, por edhe e kanë avancuar dhe fuqizuar interesin shtetëror dhe qytetar, duke shtuar se “gardianë” të respektimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.
“Marrëveshja për njohjen e vulave doganore ka një rëndësi shumë të madhe si në planin politik, ekonomik dhe në planin e bashkëpunimit rajonal. Me këtë marrëveshje praktikisht ka ndodhur njohja reciproke në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në fushën e doganave”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka pranuar se marrëveshja për doganat është arritur në një atmosferë të tensionuar dhe kundërshtuese, për faktin se Serbia dhe kryenogicatori i saj, Borislav Stefanovic kanë ndërhyrë në mënyrë destruktive në Kosovë, në kohën kur Qeveria e Kosovës pati vendosur për masat e reciprocitetit.
Tahiri ka mohuar kategorikisht se Stefanovic ta ketë hapur temën për çështjen e veriut të Kosovës. “As që e ka hapur këtë temë, sepse për mua kjo temë është vijë e kuqe. Për sovranitet, integritet territorial dhe për rregullim të brendshëm të Republikës së Kosovës nuk dialogojmë me askënd. Gjithashtu nuk ka pasur asnjë bisedë për pikat doganore 1 dhe 31”, ka deklaruar Tahiri.
Kryenegociatorja ka reaguar edhe ndaj veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë se kjo lëvizje është e verbuar për pushtet dhe se ky subjekt politik ka nevojë të shkojë në ndonjë shkollë të demokracisë.
“Ka edhe parti opozitare të cilat janë të verbuara për pushtet, të cilat e vënë interesin partial para atij nacional. Pikërisht ky ishte manifestimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Ne jemi shtet demokratik dhe pranojmë mendimet ndryshe, pranojmë edhe refuzimet, por mënyra se si u manifestua refuzimi i marrëveshjeve nga kjo lëvizje nuk ishte aspak demokratike. Shikuar në këtë aspekt, Vetëvendosje ka nevojë për një shkollë të demokracisë”, është shprehur Tahiri, duke u rekomanduar drejtuesve të kësaj lëvizje që interesin nacional ta kenë para atij partiak. /Telegrafi