Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj takimit në ditën e parë të vizitës së tij në Itali është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Franco Frattini. Duke folur për perspektivën evropiane të Ballkanit, dy ministrat janë pajtuar që Republika e Kosovës nuk guxon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave.
Ministri i jashtëm italian po ashtu ka paralajmëruar se shumë shpejt bashkë me MPJ-në e Republikës së Kosovës do të organizojnë në dy qytete shumë të mëdha në Itali një prezantim të shtetit të Kosovës, të mundësive për investime. Po ashtu është thënë se shumë shpejt do të nënshkruhen marrëveshje për heqjen e taksave të dyfishta, për riatdhesim, për transport, në fushën e sigurisë, për transferim, ekstradim të personave dhe për promovim të investimeve.
Në njoftimin për media thuhet se në këtë takim, Hoxhaj ka falënderuar ministrin italian Frattini për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë dhe në perspektivën evropiane.
“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Italisë janë të shkëlqyeshme. Unë kam ftuar mikun tim që ta vizitojë Republikën e Kosovës dhe të nënshkruajmë disa marrëveshje të bashkëpunimit, të cilat do të stimulojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mes dy popujve”, ka thënë Hoxhaj, pas takimit në një konferencë për medie, duke ftuar biznesmenët italianë që të investojnë në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Franco Frattini ka mirëpritur ftesën që ia ka bërë ministri Hoxhaj për ta vizituar Republikën e Kosovës, duke shprehur qëndrimin se Italia do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjitha fushat.
“Shumë shpejt bashkë me MPJ-në e Republikës së Kosovës do të organizojmë në dy qytete shumë të mëdha në Itali një prezantim të shtetit të Kosovës, të mundësive për investime etj. Unë po ashtu do të kërkoj nga ministrat kolegë në Itali që të përshpejtojnë procedurat, në mënyrë që sa më parë të nënshkruajmë disa marrëveshje shumë të rëndësishme për vendet tona”, ka shtuar Frattini.
Frattini ka siguruar ministrin Hoxhaj se ai dhe Italia do të jenë avokatë shumë të fuqishëm në BE për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, ministri Hoxhaj po ashtu ka folur edhe për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke shprehur qëndrimin se pa shpërbërjen e strukturave paralele ilegale të Serbisë, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.
“Është këndi i vetëm në Evropë, ku tash e 12 vjet nuk ka pas zgjedhje demokratike, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka pas numërim të popullatës, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka gjyqësi, është këndi i vetëm në Evropë ku nuk ka sundim të ligjit. Kjo duhet të përfundoj. Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat ilegale dhe të mos të ndalojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq, dy ministrat po ashtu janë pajtuar që marrëveshjet që janë arritur në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë duhet të zbatohen. /Telegrafi/